2.4 C
New York
Thursday, February 12, 2026

Buy now

Serbia ndalon avokatin Koci për “verifikim shtesë”

- Advertisement -

Autoritetet serbe e kanë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdar për të paktën 20 minuta për një “verifikim shtesë” avokatin Arianit Koci, që ishte në Serbi, si mbrojtës i Mit’hat Lozhanit, të arrestuar ditë më parë nën pretendimet për krime lufte. Koci ka thënë për KOHËN se kjo është hera e parë që diçka e tillë i ka ndodhur.

“Është hera e parë që ma bënë një gjë të tillë. Këtë po e shoh si sinjal”, ka thënë ai pasditen e së enjtes. Koci ka bërë të ditur se autoritetet serbe vetëm e kanë kontrolluar dhe nuk i kanë bërë pyetje të tjera për shkak se ka qenë me veturë të zyrës ndërlidhëse të Kosovës.

Koci edhe një ditë më parë pati alarmuar se ka informata që edhe ai është i rrezikuar, si mbrojtës i Lozhanit.

Koci ka thënë të mërkurën se ka marrë informacione që Lozhani nuk është mirë dhe se ka trajtim fizik të papërshtatshëm ndaj tij në qendrën e paraburgimit. Koci ka kërkuar monitorim ndërkombëtar për rastin, teksa u ka bërë thirrje edhe autoriteteve të Kosovës që ta trajtojnë me urgjencë rastin.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lozhani ishte arrestuar më 5 shkurt nga autoritetet serbe. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar të enjten se Lozhani është arrestuar nën dyshimin se, siç ka thënë, ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë më 1998-1999 në Zonën e Dukagjinit.
Nën akuza të ngjashme, autoritetet në Serbi, vetëm nga qershori e deri në dhjetor të 2025-tës, i kanë arrestuar 8 shtetas të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje që të ketë edhe presion ndërkombëtar mbi Serbinë për arrestimet dhe ndalimet e shtetasve të Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit