Pavarësisht përpjekjeve për unitet, Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), i mbajtur në Tiranë, përfundoi me përçarje mes vendeve pjesëmarrëse. Shqipëria, si vend pritës dhe kryesuese e radhës e SEECP-së, arriti të finalizojë një deklaratë të përbashkët, e cila u mbështet nga 11 vende, por u refuzua nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në fjalën përmbyllëse të samitit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpreh se megjithëse dokumenti nuk u firmos nga të gjitha shtetet, shumica ishte në një mendje për disa çështje kyçe, duke përfshirë edhe mbështetjen ndaj Kosovës.
“Deklarata u votua nga shumica e vendeve dhe u refuzua nga Serbia dhe Bosnja, të cilat kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës është e padrejtë dhe duhet të ishte zgjidhur shumë më herët”, deklaroi Presidenti Begaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se ishte vetë ajo që kishte propozuar përfshirjen e një paragrafi në deklaratë për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, por Serbia kishte qenë kundër.
“Meqenëse ajo deklaratë nuk kishte asnjë pjesë ku shtetet do të kërkonin heqjen e masave të padrejta të BE-së ndaj Republikës së Kosovës, unë kam propozuar një paragraf të tillë. Siç mund të prisni, Serbia ishte kundër edhe për këtë çështje”, tha Osmani.
Raportohet se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk votuan pro deklaratës së përbashkët për dy arsye: Përfshirja e një paragrafi që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës dhe referencat për NATO-n si faktor sigurie në rajon.
Të dyja këto pika, të cilat ishin pjesë e deklaratës, u konsideruan të papranueshme nga Beogradi dhe Sarajeva, për shkak të politikave të tyre të jashtme dhe marrëdhënieve të afërta me Moskën.
Presidenti Begaj gjatë fjalës së tij në samit shprehu shqetësimin për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke mbështetur haptazi Izraelin në konfliktin e tij me Iranin dhe duke kërkuar ndaljen e programit bërthamor të këtij të fundit.
“Shqipëria shpreh shqetësimin për tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet. Po ashtu, i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike dhe të përmbushë detyrimet e tij, në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, u shpreh Begaj.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në një deklaratë për mediat, vlerësoi kontributin e Shqipërisë gjatë presidencës së saj njëvjeçare në kuadër të SEECP-së dhe forumeve të tjera rajonale.
“Shqipëria ka udhëhequr me sukses pesë presidenca rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë SEECP-në. Jemi përgatitur për t’i dhënë një dimension të ri dialogut politik dhe integrimit në BE. Organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë më 16 maj 2025 do të jetë një moment historik për vendin tonë”, tha Hasani.
Deklarata e përbashkët e miratuar nga 11 vende përfshinte:
Dënimin e agresionit rus në Ukrainë;
Rikonfirmimin e rolit të NATO-s në sigurinë euroatlantike;
Thirrjen për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës;
Mbështetjen për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje;
Kërkesën ndaj Iranit për ndaljen e programeve të tij bërthamore dhe raketore;
Angazhim të përbashkët për integrim evropian dhe zhvillim rajonal.
Ky samit përmbylli me sukses kryesimin njëvjeçar të Shqipërisë në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i cili zhvillohet që nga viti 1996. Presidenca i kalon Bullgarisë për periudhën Korrik 2025 – Qershor 2026.