Pala serbe po kërkon që serbët në Kosovë të vazhdojnë t’i marrin pagat në dinarë “sikur që kanë bërë në 25 vitet e fundit”. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, ka thënë se këtë mund ta bëjë KFOR-i përkohësisht, nëse s’ka kush.
“Njerëzit janë shumë të rëndësishëm për ne, kështu që gjithçka që bëjmë është të gjejmë zgjidhje për të parandaluar fatkeqësinë humanitare që po afrohet. Sepse tash e një muaj njerëzit nuk kanë mundësi t’i tërheqin pensionet, pagat, asistencën sociale. Apelojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë që të reagojnë sipas sistemit të masave urgjente – ad hoc, në mënyrë që paratë të transportohen në të njëjtën mënyrë si në njëzet e pesë vitet e mëparshme. Atë punë e kryen një kompani britanike, e cila është e licencuar në Prishtinë”, ka thënë Staroviq.
“Nëse nuk ka kush tjetër që ta sigurojë, ajo që thashë ditët e kaluara – është se besoj se KFOR-i, së paku përkohësisht, do të mund të merrte përgjegjësinë për transportin e parave për të furnizuar bankën Poštanska štedionica”, ka thënë zyrtari serb.