Lilana nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, beson se të gjithë kanë të drejtë të udhëtojnë lirisht dhe për këtë arsye ajo mirëpret heqjen e mundshme të regjimit të vizave për Kosovën.
“Kjo do të ishte mirë për të gjithë, si për ne, serbët, ashtu edhe për shqiptarët që jetojnë këtu në Kosovë”, vlerëson Lilana, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ajo është vetëm një prej qytetarëve nga komuniteti serb, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, të cilët “i gëzohen sinqerisht udhëtimit të lirshëm, pa pasur nevojë të presin në radhë për vizë”.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në të ashtuquajturën zonë Shengen, por kësaj radhe kanë shpresë se diçka e tillë mund të ndryshojë, sepse Grupi punues i Bashkimit Evropian (BE) për viza do të diskutojë për herë të parë, më 13 tetor, lidhur me propozimin për heqjen e regjimit të vizave për ta.
Përderisa qytetarët nga radhët e shumicës shqiptare janë pak më skeptikë për këtë çështje, serbët e Kosovës janë optimistë.
Ndonëse kanë të drejtën për t’u pajisur me pasaportë të Serbisë, e cila e ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009, serbët e Kosovës ka kohë që nuk po pajisen me të, duke thënë se ajo është “pa vlerë”.
Në fakt, Beogradi zyrtar nuk ua lëshon të njëjtën pasaportë serbëve që jetojnë në Kosovë sikurse atyre që jetojnë në Serbi, por ky dokument udhëtimi lëshohet nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe me të nuk është i mundshëm udhëtimi pa viza.
Liberalizimin e vizave për Kosovën e mirëpret edhe Slagjana, po ashtu nga Graçanica, një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.
“Shpresoj që më në fund edhe ne (do të mund të udhëtojmë pa viza), pasi ne serbët (nga Kosova) nuk mund të kemi pasaporta pa viza sikurse banorët e Serbisë. Liberalizimi është një përparim i madh për të gjithë popullatën, për një jetë normale, që më në fund të ndodhë diçka e mirë për ne, pavarësisht nga kombësia jonë”, thotë Slagjana, e cila megjithatë na kërkoi që të mos ia përmendim mbiemrin.
Ngjashëm shprehet edhe Strahinja, 20-vjeçar, i cili planifikon të “udhëtojë nëpër botë”:
“Është e nevojshme të udhëtosh nëpër botë, sepse jeta këtu (në Kosovë) është e mërzitshme. Është mirë të jetosh këtu, por mërzitesh, gjithçka është njësoj…duhet ta shohësh pak botën”.
Me të pajtohet edhe Stefan Stojanoviq nga Parteshi, komunë me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës, në Kosovë. Ai është drejtues i organizatës rinore joqeveritare “Socrat” dhe beson se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë mjaft i dobishëm për të rinjtë.
“Besoj se, nëse këtë herë arrijmë ta marrim atë liberalizim, mendoj se do të thotë shumë për të gjithë të rinjtë në fushën e arsimit dhe karrierës, por edhe nga këndvështrimi i turizmit”, thotë ai.
Stefan thekson se ka shumë persona që kanë pasaporta të Kosovës dhe Serbisë, por beson se nëse Kosova merr liberalizimin e vizave, gjithnjë e më pak prej tyre do ta marrin pasaportën e Serbisë.
Qytetarëve të Serbisë që kanë adresa të vendbanimit në Kosovë, pasaportat u lëshohen nga Drejtoria koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por për ta nuk është i vlefshëm regjimi pa viza.
Në vitin 2009, Serbia duhej të formonte këtë trup, në mënyrë që të mund të përfitonte liberalizimin e vizave. Më herët, shtetasit serbë me banim në Kosovë i merrnin pasaportat e tyre në Drejtoritë e policisë, të cilat Beogradi zyrtar i kishte zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas konfliktit në Kosovë.
Kosova nuk i njeh pasaportat e tilla, sepse konsideron se ato janë lëshuar nga “institucione paralele ilegale”.
Petar Gjorgjeviq nga organizata joqeveritare “Graçanica e re aktive” beson se pjesëtarët e komunitetit serb, me liberalizimin e vizave për Kosovën, do të “shpëtonin nga peripecitë e shumta” që kanë gjatë nxjerrjes së pasaportave serbe.
“Ne e dimë se nuk është aspak e lehtë (marrja e pasaportave serbe) sepse kjo bëhet në Serbi. Kjo (liberalizimi i vizave për Kosovën) do ta lehtësonte udhëtimin. Mbase dikush mund të vizitojë për herë të parë disa nga vendet që janë jashtë kësaj ish-Jugosllavisë sonë”, thotë Gjorgjeviq.
Pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët jetojnë në katër komuna në veri të Kosovës, shpesh refuzojnë të integrohen në sistemin e Kosovës apo të nxjerrin ndonjë dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës.
Megjithatë, ata e mirëpresin liberalizimin e vizave, sepse kjo do të thotë se edhe ata mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.
Nenadi nga Mitrovica e Veriut beson se shumica e bashkëkombësve të tij do t’i nxirrnin pasaportat e Kosovës nëse do të mund të lëviznin lirshëm me to.
“Tani për tani është më mirë pa asnjë pasaportë, por nëse ka liberalizim të vizave, është gjithsesi shumë mirë. Unë garantoj për njerëzit që njoh dhe ai rreth nuk është i vogël, se të gjithë do ta marrin”, thotë Nenadi.
Aktualisht, Aleksandra nuk ka pasaportë të vlefshme të Kosovës apo të Serbisë, sepse deri më tani nuk ka mundur të udhëtojë me ta. Por, në rast se Kosova merr liberalizimin e vizave, atëherë, siç thotë ajo, do të marrë pasaportën e Kosovës.
“Menjëherë, menjëherë, po, do ta merrja sigurisht. E shikoj nga pikëpamja që është e rëndësishme për mua si individ dhe nga kjo do të udhëhiqesha. Po, do të merrja pasaportën vetëm që të mund të udhëtoja”, thotë Aleksandra.
As Filipi nuk do të hezitonte të merrte pasaportën e Kosovës për të udhëtuar.
“Mendoj se për mua, si një i ri, do të ishte domethënëse që të udhëtoja, që të shihja diçka, sepse aktualisht, është mjaft e komplikuar për të siguruar dokumentet”, thekson ai.
Ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavsky, më 29 shtator tha në Prishtinë se ka shpresa të mëdha që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të përfundojë gjatë mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke.
Presidenca çeke përfundon mandatin e saj në krye të Bashkimit Evropian (BE) më 31 dhjetor të këtij viti.
Në vitin 2012, Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ndërkaq në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
Parlamenti Evropian, një nga dy institucionet që vendos për këtë, disa herë ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Megjithatë, tash e disa vjet, kjo çështje ka ngecur në nivelin politik, pra në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili merr vendimin përfundimtar, për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik për të ecur përpara me procesin.
Holanda, por më së shumti Franca, deri së voni, kanë qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, por ka shenja se të dyja vendet kanë lëshuar pe.
Lipavsky tha se për këtë çështje ka kontaktuar edhe zyrtarët holandezë dhe se janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike, e më pas edhe ato politike