Serbët në Mitrovicë janë thirrur të marrin pjesë në një tubim në përkrahje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe pushtetit të tij, që do të mbahet këtë të shtunë nga ora 18:30 deri në ora 19:30.
Sipas organizatorëve, “Shoqata e Pensionistëve të Bashkuar”, ky organizim mbahet me qëllim mbështetjeje për “paqen dhe tolerancën”.
Në lidhje me këtë ngjarje, ka qenë i ftuar në “Info Magazine” të Klan Kosovës, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në Mitrovicën e Veriut. Ai ka thënë se janë njoftuar disa ditë më parë për këtë tubim. Elshani shtoi se zyrtarët policorë do të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe se do të jenë në numër të mjaftueshëm.
“Në parim, ne asnjëherë nuk i ndalojmë tubimet publike, që janë për paqe dhe tolerancë, veçanërisht ato që supozohet të jenë pa dhunë. Mbledhja, tubimi dhe fjala e lirë janë të garantuara me Kushtetutë, kështu që nuk kemi diçka kundër saj”, ka thënë Elshani.
“Sidoqoftë, ne do të jemi aty për të marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij tubimi publik dhe do të intervenojmë nëse do të jetë e nevojshme. Nuk kemi ndonjë shqetësim, por jemi në numër të mjaftueshëm siç kërkohet”, u shpreh ai.
Elshani gjithashtu tha se ka informacione që pas tubimit që do të mbahet sot, pritet që të ketë përkrahje nga Lista Serbe. “Kemi informacione të mjaftueshme dhe mendojmë se Lista Serbe është pas këtij tubimi. Pritet që aty të jenë një numër i konsiderueshëm njerëzish”, tha ai.