-2.9 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Senati i ShBA-së rrëzon tri rezoluta me të cilat do t’i ndaleshin disa armë Izraelit

- Advertisement -
Senati i Shteteve të Bashkuara të mërkurën rrëzoi me shumicë dërrmuese të votave tri rezoluta me të cilat do të ndalej dërgimi i disa armëve amerikane në Izrael. Rezolutat ishin paraqitur nga disa progresistë të shqetësuar për katastrofën me të drejtat e njeriut, me të cilën ballafaqohen palestinezët në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të gjitha votat pro rezolutave erdhën ngademokratët, ndërsa votat kundër tyre erdhën nga republikanë e demokratë, duke e vënë në pah përçarjen brenda Partisë Demokratike të presidentit Joe Biden për politikën ndaj Qeverisë së Izraelit, e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu.

Shtatëdhjetë e nëntë nga 100 senatorët votuan kundër një rezolute me të cilën Izraelit do t’i bllokohej blerja e predhave të tankeve, ndërsa vetëm 18 senatorë e përkrahën atë. 78 senatorë dolën kundër një rezolute tjetër, me të cilën do të ndalohej dërgimi i predhave të mortajave, ndërsa vetëm 19 senatorë e përkrahën këtë rezolutë.

Për më tepër, 80 senatorë votuan kundër rezolutës së tretë, me të cilën do të ndërpritej dërgimi i seteve me municione për sulm të drejtpërdrejtë (JDAMS), ndërsa 17 senatorë e përkrahën rezolutën. Këto sete prodhohen nga kompania e njohur amerikane, “Boeing”.

Rezolutat ishin paraqitur nga senatori i pavarur progresist, Bernie Sanders, dhe ishin bashkësponsorisuar nga disa demokratë, të cilët e kanë kritikuar trajtimin e civilëve gjatë luftës.

Tradita e gjatë me dekada e përkrahjes dypartiake për Izraelin në Kongresin e ShBA-së nënkuptonte që rezolutat kishin shumë pak gjasa për t’u miratuar, por përkrahësit e tyre shpresonin që mbështetja domethënëse në Senat do t’i inkurajonte Qeverinë e Izraelit dhe administratën e Bidenit që të bënin më shumë për t’i mbrojtur civilët palestinezë.

Senatori Sanders kishte paraqitur gjithsej gjashtë rezoluta, që mbulonin rreth 20 miliardë dollarë vlerë të armëve për Izraelin, por i hodhi në votim vetëm tri prej tyre këtë javë.

Administrata e Bidenit i kundërshtoi rezolutat. Në një listë me 11 pika dërguar senatorëve demokratë, administrata tha se, mes të tjerash, ofrimi i pajisjeve ushtarake Izraelit është investim në sigurinë afatgjate të këtij shteti, pasi ai ballafaqohet me kërcënime nga Irani dhe zona të tjera dhe se administrata është “duke punuar vazhdimisht” për përmirësimin e kushteve në Gaza.

Megjithatë, senatori Sanders tha se ndihma ushtarake për Izraelin e shkel ligjin amerikanme të cilin ndalohet shitja e armëve për abuzuesit e të drejtave të njeriut, duke e përmendur vdekjen e shumë fëmijëve e të moshuarve palestinezë dhe duke e akuzuar Izraelin për bllokimin e dërgesave me ndihma, transmeton nacionale.

“Është koha që t’i thuhet qeverisë së Netanyahut se ata nuk mund t’i përdorin dollarët e taksapaguesve amerikanë dhe armët amerikane në kundërshtim me ligjin amerikan dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe me vlerat tona morale”- tha ai në fjalimin para senatorëve para votimit.

Kundërshtarët e rezolutave thonë se koha e paraqitjes së tyre nuk ishte e duhura, pasi Izraeli ballafaqohet me kërcënime nga grupe militante si Hamasi e Hezbollahu si dhe nga Irani.

“Izraeli është i rrethuar me armiq që janë të përkushtuar për asgjësimin e tij” – tha udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, në një fjalim para votimit të rezolutave.

Ligjet amerikane ia japin Kongresit të drejtën për të ndalur shitje të armëve në vende të huaja përmes miratimit të rezolutave kundër tyre. Sidoqoftë, asnjë rezolutë nuk i ka kaluar dy fazat – miratimin nga Kongresi dhe shmangien e vetos nga presidenti.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit