Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj komentoi veprimet e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me tekstet shkollore.
“Ajo krenohet me varfërinë e familjeve kosovare, në të cilën i ka zhytur qeveria Kurti”, deklaroi Selmanaj.
Postimi i plotë:
Ministrja e Arsimit, e konfirmuar si shkelëse e Kushtetutës dhe e dështuar si drejtoreshë në Komunën e Prishtinës, në vend që të marrë përgjegjësi për dështimin e plotë të reformave në arsim dhe dështim të këtij procesi vitin e kaluar, ajo krenohet me varfërinë e familjeve kosovare, në të cilën i ka zhytur qeveria Kurti.
Po thonë se 60,000 prindër kanë aplikuar brenda 24 orëve, kjo tregon se një familje kosovare nuk mund të përballojë një shpenzim shtesë prej 80-100 eurosh në muajin shtator.
Me këtë ritëm, një ditë do të lavdëroheni se sa mijëra qytetarë kanë aplikuar për ndihma sociale.
Kjo logjikë qeverisëse promovon varfëri, mos zhvillim dhe defetizëm!