Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se vendi ka një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës.
Teksa komentoi deklaratën e djeshme të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, Selmanaj ka shtruar pyetjen se për cilin plan punon kryeministri, Albin Kurti.
“A ju kujtohet Albini kur thoshte: “S’di pse dikush u befasua që ambasadori amerikan ka më shumë informata se unë”?!
E pra, bash ai ambasadori i njëjtë amerikan sot qartazi thotë që Qeveria e Kurtit po punon kundër planit amerikan për Kosovën. Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë që dyshojnë në planin e Amerikës për Kosovën.
Atëherë shtrohet pyetja: Cili është plani i Albinit? Nëse nuk është në përputhje me planin amerikan , për cilin plan punon Albini?
Për shumë dekada, burra dhe gra si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë, kanë punuar shumë që Kosova të jetë në planet e Amerikës. Tani kemi një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës ”, shkroi ai në një postim në rrjetin social Facebook.
Më tej deputeti i LDK-së tha se nuk mund të jesh me Kosovën dhe SHBA-në dhe të përkrahësh Kurtin.
Po ashtu ai s’ka lënë pa përmendur as presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për të cilën tha se nuk i dëgjohet rasti në të tilla raste.
“Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet. Fatkeqësisht, sot nuk nuk mundesh me qenë edhe me Kosovën, edhe me Amerikën dhe me përkrahë Albinin.
Duhet ta dijmë të gjithë që Aleanca e popullit të Kosovës me SHBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental.
Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: “Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane”, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri”, shkroi më tej Selmanaj.
Ndryshe, këto komente të deputetit Selmanaj erdhën pas deklaratës së ambasadorit Hovenier, i cili tha të hënën se disa nga zgjidhjet politike të Qeverisë së kryeministrit Kurti, e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e synimeve të përbashkëta.
“Siç e kam thënë shpesh, ne kemi qenë me popullin e Kosovës, jemi dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që ne do të pajtohemi me çdo zgjidhje nga çdo qeveri e Kosovës. Qeveria amerikane dhe të gjithë partnerët tanë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Bashkimi Evropian, kanë vlerësuar se disa nga zgjidhjet politike të qeverisë së kryeministrit Kurti e kanë bërë më të vështirë përmbushjen e gjërave që ne synojmë së bashku”, tha ai.