Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, i ka bërë thirrje partive tjera dhe përfaqësuesve të komuniteteve jo-serbe në Kuvend që të mbështesin propozimin e VV-së për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit në seancën e nesërme.
Ajo iu drejtua konkretisht partive PDK, LDK, AAK, Nisma, si dhe deputetëve të pakicave jo-serbe, duke i ftuar të kontribuojnë në zhbllokimin e procesit institucional.
Postimi:
Nesër është vazhdimi i seancës për votimin e Kryetares së Kuvendit dhe paraprakisht miratimi i komisionit për votim të fshehtë.
Me këtë rast i bëj thirrje të gjitha partive në Kuvend PDK, LDK, AAK, Nisma dhe pakicat jo serbe, që të votojnë propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryetare.
Ky votim nuk është votim i veçuar për një pozitë, është votim për themelimin e organeve të legjislaturës së re në përputhje me vullnetin e shprehur në zgjedhje.
Ata e ato që kanë brengën e zhbllokimit të procesit të krijimit të institucioneve të vendit le ta adresojnë nesër duke votuar.