Ish-kryediplomati, Petrit Selimi ka bërë të ditur se Qeveria Serbe ka nënshkruar kontratën e dytë të konsultimit, madje me një kompani me “prirje demokratike”.
Selimi ka bërë të ditur se Serbia do të paguajë rreth 720 mijë dollarë kompanisë “KARV COMMUNICATIONS” për të shpjeguar “politikat e Qeverisë Serbe”.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, sipas tij, me “servilë në diasporë”.
“Ndërsa qeveria e Kosovës nënshkruan “kontrata konsultimi” me “servilë” në diasporë, të cilët janë në histori publike duke kritikuar qeverinë amerikane, qeveria serbe sapo nënshkroi kontratën e dytë të konsultimit, tani një marrëveshje 720,000 dollarë me prirjen demokratike @KARVComm për të “shpjeguar politikat e qeverisë serbe”. – ka shkruar ai.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka kontraktuar një kompani lobuese me shumë prej 147 mijë euro e cila “do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara”.
Euronews Albania siguroi edhe një kopje të kontratës.
“Sipas kontratës së nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kompania do të ofrojë këshilla, përkrahje dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.