1.5 C
New York
Tuesday, February 11, 2025

Buy now

Selimi: S’e kam ditur që Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së

- Advertisement -

Sylejman Selimi gjatë dëshmisë së tij në Hagë deklaroi se nuk e ka ditur që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërsa, tha se ka dijeni që Jakup Krasniqi dhe Sokol Bashota ishin emëruar zëvendëskomandantë.

“Nuk e kam ditur që Azem Syla ka qenë komandant i përgjithshëm”, tha Sylejman Selimi, pasi iu prezantua një artikulli i një medie ndërkombëtare që fliste për Sylën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, pyeti dëshmitarin se si ka mundësi që ndërkombëtarët e dinin që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ndërsa vetë ai si komandant i Zonës së Drenicës nuk kishte njohuri.

“Unë nuk kam koment. Nuk e di. Jo vetëm unë por edhe shumë komandantë të zonave që në takimin që e kemi pasur, që Azem Syla është komandant i përgjithshëm”, tha Selimi.

Më pas, Selimit iu prezantua një dokument i një takimi që supozohet që është mbajtur më 6 shkurt 1999. Ky dokument ishte procesverbali i atij takimi për të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar sipas Mishetiqit ka thënë se është sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit.

Mishetiq tregoi që sipas dokumentit, në këtë takim pjesëmarrës ishin komandantët e zonave operative si Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa-Remi, Ekrem Rexha dhe Syla.

Ndërsa si përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm, dokumenti tregonte, sipas Mishetiqit, që ishin Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi.

“Datën nuk po e di saktë, por nuk më kujtohet një takim i tillë”, tha Selimi.

Sipas Mishetiq, dokumenti thoshte që personi me emrin Syla kishte thënë se emërimet që janë bërë nga Shtabi i Përgjithshëm janë shqetësuese sidomos për emërimin e Sokol Bashotës dhe Jakup Krasniqit si zëvëndëskomandantë.

Ai gjithashtu kishte thënë se Sokol Bashota nuk është i përshtatshëm për këtë vend dhe se Shtabi i Përgjithshëm i ka shpërfillur kërkesat që ia kanë bërë komandantët e zonave për këtë çështje.

Ndërsa, për Jakup Krasniqin, Syla kishte thënë se nuk është personi i duhur për zëvendëskomadnat dhe se për emërimet në Shtab duhej të konsultoheshin ata. Madje, ky person kishte thënë se ata që kanë marrë armët për të luftuar nuk po merren parasysh.

Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi të informohet se kush identifikohej si Syla në këtë takim dhe se a ishte ai dëshmitari.

“E para, e kam pasur edhe emrin edhe pseudonimin. Megjithatë, unë këtë shkrim dhe këtë takim nuk e di se kur është mbajtur dhe si është mbajtur. Nuk më kujtohet”, tha Selimi.

Po ashtu, Mishetiq ripërsëriti se sipas procesverbalit, Syla ka thënë se Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi nuk e meritojnë rolin e e zëvëndëskomandantit.

“Është e saktë që për Jakupin dhe Sokolin e kemi ditur që ishin dy zëvendëskomandantë”, tha Sylejman Selimi.

Për të qenë zëvendës, Mishetiq tha se duhej të kishte edhe komandant. Me këtë, u pajtua edhe dëshmitari.

“Siç po e kuptoj dëshminë tuaj, ju po thoni që si pjesëmarrës në takim ju e dinit që ekzistonte një komandat kryesor por që nuk e dinte që ishte Azem Syla”, i tha Mishetiq dëshmitarit.

Prokurori Matt Halling kundërshtoi pyetjen, duke thënë se Mishetiq po e shtrembëron deklaratën e dëshmitarit.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, tha se realisht kjo ishte ajo që saktësisht po e thoshte dëshmitari.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit