Sylejman Selimi tha se në zonën ku ai ka udhëhequr, shef i shërbimit të Zbulim-Kundërzbulimit ka qenë Rasim Kiçina. Sipas tij, atë e ka pasur vetë Selimi nën komande dhe nuk ka informacion nëse ai i ka raportuar Kadri Veselit.
Shumë pak merrej me rolin e tij. Kishte për detyrë që të afrohej afër forcave të armikut dhe të zbulonte sa kanë armatim, sa ishin afër pozicioneve tona. Por, ai ishte shumë aktiv dhe merrte pjesë edhe vetë në luftime”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se Kiçina informacionet ia përcjelltë, shefit të operativës që ishte Xhemajl Bejta, shefit të Shtabit të ZO të Drenicës e po ashtu edhe vetë atij si komandant zone.
Dëshmitari u pyet se Rasim Kiçina a i ka raportuar Kadri Veselit ndonjëherë.
“Nuk kam informacion. Nuk e di”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pasi pati kundërshtime nga prokuroria për përsëritjen e pyetjes, Dixon tha se unë po them që Rasim Kiçina nuk i ka raportuar Kadri Veselit dhe e pyeti dëshmitarin se a është e saktë. Dixon shtoi se ka udhëzime nga klienti i tij për ta pyetur dëshmitarin kështu.
“Z. Kiçina ka qenë në komandën time, me ka raportuar mua dhe Zonës Operative të Drenicës”, tha Selimi pasi iu kërkua të përgjigjet.
Ndërsa, vetë Selimi tha se në kohën kur u emërua Kadri Veseli në G2 e ka takuar vetëm një apo dy herë por që nuk kanë diskutuar për çështjen e organizimit të kësaj strukture.
“Asnjëherë s’kam pas bisedë rreth organizimit”, tha Selimi.
Drejtë fundit të 98-ës dëshmitari tha se ka marrë informacione gojarisht nga Rasim Kiçina lidhur me lëvizjet e forcave serbe por që me shkrim jo.
Vlen të theksohet se avokati i Veselit, Rodney Dixon do të vazhdojë edhe nesër pyetjet e tij për dëshmitarin Sylejman Selimi.