Wesley Clark, ish gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ish jugosllave, pritet që më së largu më 19 nëntor, siç ka paralajmëruar Mbrojtja e Hashim Thaçit, të paraqitet në Gjykatën Speciale si dëshmitari i fundit i thirrur nga ish-presidenti i Kosovës.
Përveç Mbrojtjes së Thaçit, Clarku do të pranojë pyetje edhe nga ekipet e avokatëve të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. I pari do të ketë kohë për rreth 30 minuta ndërkaq avokatët e Krasniqit kanë kërkuar rreth 45 minuta për pyetje shtesë për Clarkun, njofton Klankosova.tv.
Veç kësaj, ekipet nuk kanë kundërshtuar dokumentet përcjellëse që do të përdoren gjatë dëshmisë së ish gjeneralit, edhe pse Rexhep Selimi e ka njoftuar Trupin Gjykues se e rezervon të drejtën për kundërshtime gjatë dëshmisë, nëse preket diku emri i Selimit.
Paraprakisht, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë kundërshtuar pranimin e disa provave që janë dorëzuar nga Prokuroria gjatë dëgjimit të dëshmitarëve të Thaçit, e të cilat prekin direkt edhe dy të bashkakuzuarit e të cilët ngrenë shqetësimin se Gjykata e ka lënë Prokurorinë ta ri-hapë çështjen e saj. Fjala është për armatimin e UÇK-së dhe sulmet e para ndaj stacioneve policore serbe në 1997 që është përmendur gjatë dëshmisë së Jock Covey. “Mbrojtja nuk ka qenë në dijeni të këtyre pretendimeve të cilat janë bërë publike në një fazë tejet të vonshme të gjykimit, në një pikë kur Mbrojtja veçse e kishte marrë vendimin për të mos thirrur dëshmitarë.” – thuhet ndër të tjera në ankesën e Mbrojtjes






