Në adresimin e tij para trupit gjykues, ai ka thënë se këto deklarata nuk duhet për përdoren as kundër Thaçit, Veselit dhe Krasniqit.
Selimi është shprehur i bindu se bashkë me të tjerët do të dalin fitimtar në fund të procesit.
“Më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën. Dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi të lirë, për të cilin luftuam gjatë gjithë jetës tonë”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë se kishin dëshirë të madhe të kishin ushtri të organizuar, por nuk ia kishin arritur.
“Krejt çka mund të bënim ne ishte ta ndiqnim rrugën e Adem Jasharit. Disa e bënë të parën, ranë duke luftuar, e disa e bëmë të dytën, e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, ashtu siç dinim e mundnim. Donim ta kishim një ushtri të armatosur mirë. Donim të kishim ushtri të organizuar mirë, por nuk ia arritnim. Donim ta mundnim Serbinë, por nuk ia arritëm pa ndihmën e shteteve nga jashtë. Këtë e bëmë për të mbijetuar si njerëz të vendit ku ishim lindur. Nuk kishim kazerma. Kishim shtëpitë e familjeve tona e të tjera që na mbanin. Nuk kishim akademi ushtarake. Por na kishin mësuar prindërit se si duhet të mbrohemi e luftonim për vendin tonë. Nuk kishin uniforma, por disa i blinim e disa i ngjyrosnim si të ishim ushtarë. Si piktori akademik Idriz Berisha i pikturonte rrobat e punëtorëve që ato të duken si të ushtarëve”, ka thënë Selimi.
Më tej, ai ka përmendur masakrat që kanë bërë forcat serbe në Kosovë.
“Lufta nuk është e mirë asnjëherë e për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion. Por ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e shoqëri. Shtypja vazhdonte në anën tjetër ndaj shqiptarëve. Serbia kreu qindra masakra, vrau mbi 12 mijë shqiptarë. Forcat serbe dhunuan mijëra gra e vajza të pambrojtura. Dogjën me qindra mijëra shtëpi. Dëbuan gjysmën e popullatës. Ne asnjëherë nuk bëmë atë që bënte Serbia. Nuk përgjigjemi njëjtë”, ka thënë ai.
Pas përfundimit të luftës, ka thënë ai, përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë e kishte marrë KFOR-i dhe UNMIK-u.
“E nëse flasim për krimet. Le të flasim për krimet që në të vërtetë kanë ndodhur. Për të gjitha masakrat: Mejës, Izbicës, Krushës, Rezallës, Poklekut, Qyshkut apo qindra të tjera ku janë vrarë fëmijët në gjirin e nënave të tyre. Le të flasim për Dubravën. Për të zhdukurit me dhunë ku edhe sot mijëra nuk janë gjetur akoma. Le të flasim për krejt ata kriminelë që kanë bërë krime e nuk janë ndëshkuar. Në qershor 1999 NATO dhe shtetet aleate ndërhynë. Lufta përfundoi. Kosova ishte e lirë. Pas përfundimit të luftës ata që morën përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë ishte KFOR-i dhe UNMIK-u. Bashkë me ta u përpoqëm që Kosova të bëhej shtet. Si rezultat sot Kosova është shtet sovran dhe demokratik. Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë: unë nuk kam frikë nga drejtësia. Por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Unë qëndroj përballë jush me besimin e plotë se ju në fund të procesit do të vendosni në favor të pafajësisë time”, ka thënë Selimi.