Rreth 20 metra kub dru të përpunuar janë sekuestruar nga autoritetet gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese-2026”.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në fshatin Lupç të komunës së Podujevë, ku njësitë e Sektorit për Operativë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindja kanë ndaluar një kamion të tipit MAN me targa RKS (01), i cili drejtohej nga i dyshuari me inicialet K.B. (1991).
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë konstatuar se kamioni ishte i ngarkuar me rreth 20 metra kub dru të përpunuar (dërrasa), për të cilat drejtuesi nuk posedonte dokumentacion valid për transport, si dhe as dokumentacion për ushtrimin e veprimtarisë biznesore për përpunimin e asortimenteve drunore.
Masa drusore është inspektuar dhe sekuestruar nga inspektorët e Agjencia e Pyjeve të Kosovës, ndërsa më pas është dërguar në depon e kësaj agjencie për procedura të mëtejme.
Me autorizim të prokurorit kompetent është iniciuar rasti për veprat penale “Tregti e ndaluar” dhe “Transport i kundërligjshëm i druve”, ndërsa rasti do të trajtohet nga njësitë përkatëse sipas kompetencës.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe në mbrojtjen e pasurisë natyrore të vendit./IndeksOnline/






