Derisa po afrohet 31 tetori që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës do të mund të përdoren në Kosovë, vjen sërish thirrje nga Departamenti Amerikan i Shtetit që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Një thirrje e tillë vjen nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, raporton The Pavlovic, transmeton RTKlive.
The Pavlovic Today, është një organizatë amerikane e pavarur, me qendër në Uashington, e themeluar nga Ksenija Pavloviç McAteer, një profesoreshë e shkencave politike, autore dhe korrespondente e pavarur nga Shtëpia e Bardhë, e cila mbulon aktualisht administratën Biden dhe Departamentin e Shtetit.
Ajo ka pyetur zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Ned Price, u lidhur me mesazhin e Sekretarit Blinken për Kosovën dhe Serbinë.
Price, mes tjerash, tha se Blinken ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai citohet të ketë thënë se nga të dy, ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet.
“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces”, ka thënë Price.
“Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.
Duke folur në emër të Sekretarit Blinken, zëdhënësi Price tha se ka shpresë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se ato mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për The Pavlovic Today.