Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka reaguar lidhur me 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kjo ditë erdhi falë sakrificës dhe kontributit të shumë gjeneratave, dhe se, i kujtojmë me përulje të rënët për lirinë që ne e gëzojmë.
Nga Sejdiu shtohet edhe se, në ditët e rënda të kishim prijës presidentin historik, Ibrahim Rugova, si dhe heroin legjendar të luftës, Adem Jashari.
‘’Në këto vite lirie, arritjet janë të pamohueshme dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë. Megjithatë, shtetësia dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen me kaq. Nevojitet ende shumë punë, përkushtim dhe përgjegjësi që shteti i Kosovës të zërë vendin e merituar në mesin e shteteve të lira, sovrane dhe demokratike’’, ka thënë ai mes tjerash.
Postimi:
Prof. dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës
2006-2010
Prishtinë, 17 shkurt 2026
Sot festojmë 18-vjetorin e Mëvetësisë së Republikës sonë. Është një ditë gëzimi dhe reflektimi. E diela e 17 shkurtit 2008 erdhi falë sakrificës dhe kontributit të shumë gjeneratave.
Kujtojmë me përulje të rënët për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Kishim fatin që, në ditët e rënda, të kishim prijës presidentin historik, Ibrahim Rugova, si dhe heroin legjendar të luftës, Adem Jashari.
Në këto vite lirie, arritjet janë të pamohueshme dhe për këtë duhet të jemi krenarë të gjithë. Megjithatë, shtetësia dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen me kaq. Nevojitet ende shumë punë, përkushtim dhe përgjegjësi që shteti i Kosovës të zërë vendin e merituar në mesin e shteteve të lira, sovrane dhe demokratike.
Kjo është, po kështu, një ditë që na bën t’i shohim me më shumë përgjegjësi angazhimet publike, të cilat duhet të ndërtohen mbi vlerat e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit të përhershëm.
Urimi për këtë ditë fatlume është urim për Kosovën e lirë dhe të zhvilluar, prosperuese dhe kontribuuese për të mirën e qytetarëve të saj dhe të mirësisë njerëzore.






