Opinionisti, Dardan Sejdiu, sonte në “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur në lidhje me Marshin për Drejtësi, duke thënë se ka qenë një marsh i popullit të këtij vendi.
“Ka qenë një shpërfaqje dhe një marsh i popullit të këtij vendi, e tash prej atij marshi me pas dikush guxim e me dal me provu me ndërtu njëfare narracioni për kush është ‘car’ e kush nuk është, është për të të ardhur keq, me u mundu me e ndërtu njëfarë konflikti të panevojshëm komplet”, tha ai.
Sejdiu në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, tha se duhet që në çdo rrethanë të ndihmojmë me kapacitetet që i kemi, që ky proces, siç u shpreh ai, të përmbyllen mirë e mbarë.
“Mendoj se si shoqëri edhe si vend, kemi disa obligime, e para që të sigurohemi që në çdo formë, në çdo rrethanë të iu ndihmojmë me kapacitetet që i kemi, që ky proces të përmbyllen mirë e mbarë dhe të dalin nga kjo situatë, në të cilën veten e kemi futur”, tha ai.
Tutje, Sejdiu u shpreh se Marshi për Drejtësi nuk duhet të jetë shpërfaqja e vetme e përkrahjes ndaj luftës së UÇK-së.
“Duhet besoj që ky marsh mos të jetë një moment i vetëm i shpërfaqjes së përkrahjes për luftën dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se e kemi si shoqëri njëfarë kohëzgjatje treditëshe, për çdo temë”, u shpreh tutje ai.