Çështja e presidentit të vendit ende nuk ka marrë epilog, dhe partitë politike nuk kanë dalë ende me emrat e tyre.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Jashari do të ishte kandidati ideal konsensual për të parin e shtetit.
Por, ka qenë vetë Jashari ai që ka mohuar se dëshiron të marrë post të tillë.
E opinionisti Dardan Sejdiu, në Rubikon të Klan Kosova, nisur nga ky shkas, po thotë se Kurti është “mjeshtër i manipulimit emocional”, por thekson se këtë manipulim ia rrëzoi vetë familja Jashari.
“Mendoj që zotëri Kurti është mjeshtër i manipulimit emocional, por këtë manipulim ia hoqi prej rendit të ditës familja Jashari, dhe besoj që ka qenë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Kosovës që të mos lejohet futja e një sakrifice aq të madhe, një familje me një rëndësi të madhe historike për vendin, të futet në diskutime në mes të njerëzve të cilët nuk e kanë asnjë lloj ideje se si duket e ardhmja e Kosovës, dhe në njëfarë forme të bëhet monedhë dhe transaksion e taktizim politik. Ata ishin jashtëzakonisht të qartë dhe mendoj se kanë bërë një punë që e nderon edhe një herë më shumë krejt atë angazhim e sakrificë, dhe historinë e familjes. Ashtu unë besoj se ruhet krejt ajo sakrificë”, deklaroi Sejdiu.
Sipas tij, me deklarimin e Murat Jasharit, “u hoq mundësia e një manipulimi të tillë emocional, dhe tash jemi në kuadër të diskutimit praktik”.
“Dikush që i ka 66 vota, në çfarë mënyre mundet për katër ditë me dalë prej pozicionit kur unë isha optimist në këtë emision, dhe pata shpresë që ai realisht është i interesuar që vendin të mos e mbajë në krizë permamente. Por ai sot na ka sjellë në një situatë se ajo çfarë ka thënë një javë më parë, sot nuk vlen”, u shpreh Dardan Sejdiu.
Sipas tij, propozimi potencial i Glauk Konjufcës për president “është kundër asaj që e ka thënë vetë Konjufca e edhe vetë zotëri Kurti në konferencë për shtyp”.






