Ali Sefaj, zyrtar ligjor në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe aktivist për çështjet mjedisore, ka bërë thirrje për veprime emergjente pas vërshimeve që kanë përfshirë disa komuna në Kosovë.
Sipas tij, duhet të evakuohen menjëherë banorët që jetojnë në shtëpi të pabanueshme, të ndahen fonde për periudhën emergjente dhe të ofrohet akomodim në qendra të sigurta ose vendet ku ka mundësi shteti.
Ai ka theksuar nevojën për një vlerësim të saktë të dëmeve të shkaktuara dhe kompensimin e tyre, duke shtuar se deri më tani banorët nuk janë kompensuar për fatkeqësitë natyrore të mëparshme.
“Hapat emergjent janë që duhet të evakuohen të gjithë banorët që shtëpitë e tyre janë të pabanueshëm të ndahet fond për periudhën emergjente, të vendosen në shtëpi qendra apo ku ka mundësi shteti t’i akomodojë. Komunat dhe veçmas të bëhet një vlerësim real mbi dëmet e shkaktuara dhe të kompensohen për arsye se nuk janë kompensuar është e katërta e herë që ndodhin fatkeqësi natyrore përmbytje vërshime e nuk kemi pasur kompensim qoftë nga niveli qendror apo lokal. Mirëpo pasi të ndalet shiu duhet të kemi veprime emergjente të gjitha ato ura ku janë bllokuar dhe kanë shkaktuar vërshime të intervenohet menjëherë”, ka deklaruar Sefaj.
Ai gjithashtu ka kritikuar ndërtime pa leje, të cilat sipas tij kanë përkeqësuar gjendjen gjatë vërshimeve.






