8.1 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Seanca ndaj Pal Lekajt ndërpritet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, kjo është arsyeja

- Advertisement -

Për shkak që mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), avokati Musa Damati, ka deklaruar se nuk janë pajisur me shkresa të lëndës nga Prokuroria, është ndërprerë seanca e së enjtes në rastin ku Lekaj po akuzohet se në cilësinë e deputetit, ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Damati ka deklaruar se nga Prokuroria e Shtetit nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, përveç aktakuzës nga Gjykata, andaj kërkuar të pajisen me të njëjtat.

Për këtë, prokurori i rastit Arianit Salihi ka thënë se nuk ka prova që mbrojtja dhe i akuzuari të jenë pajisur me shkresa të lëndës.

Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka ndërprerë seancën duke e shtyrë për datë të pacaktuar, derisa Prokuroria të pajisë të akuzuarin dhe mbrojtësin me të gjitha shkresat e lëndës, që të mund të deklarohet në këtë çështje penale.

Gjykata obligoi Prokurorinë që brenda afatit ligjor t’i pajisë palët me të gjitha shkresat e lëndës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit