Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar ofertën e Albin Kurtit të Vetëvendosjes, për takim sot (e enjte) nga ora 8:30, një orë e gjysmë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim” – ka thënë Krasniqi.
Ai tutje është shprehur se “gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.”.
Por për nënkryetarët s’ka diskutim ka thënë Krasniqi.
“Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.” – ka shkruar tutje ai.
Kurti i ka dërguar ftesë për takim edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por ai ka refuzuar.
Pas këtij takimi, në orën 10:00 pritet të vazhdohet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.