Të paktën 30 njerëz vdiqën, kur një aeroplan i kompanisë “Air India”, i nisur për në Londër me 242 persona në të, u rrëzua disa minuta pas nisjes nga qyteti Ahmedabad në Indi të enjten, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet, thanë autoritetet.
Aeroplani planifikohej të aterronte në jug të Londrës, tha kompania “Air India”, ndërsa policët thanë se aeroplani u rrëzua në një zonë banimi afër aeroportit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ndërtesa mbi të cilën u rrëzua aeroplani është bujtinë e mjekëve… e kemi pastruar gati 70 deri në 80 për qind të zonës dhe do ta pastrojmë pjesën tjetër së shpejti” – tha para gazetarëve një oficer i lartë policor.
Mediat indiane raportuan se aeroplani u rrëzua mbi hapësirën e ngrënies së një bujtine shtetërore të Kolegjit Mjekësor B.J., duke lënë të vdekur edhe shumë studentë të mjekësisë.
Punëtorët e shpëtimit thanë se të paktën 30 deri në 35 trupa janë nxjerrë nga vendi i aksidentit dhe se më shumë njerëz të tjerë ishin të ngujuar.
Në mesin e pasagjerëve ishin 217 të rritur, 11 fëmijë dhe dy foshnja, tha një burim. Prej tyre: 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez, bëri të ditur kompania ajrore.