Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala ka reaguar pasi partia nuk arriti të kalojë pragun, gjë për të cilën ai ka thënë se “ky nuk është fundi i rrugës”, shkruan Reporteri.net.
Në një postim të bërë në Facebook, Shala shkruan se Nisma nuk ka arsye ta ulë kokën dhe se “rrugët e drejta nuk maten vetëm me një rezultat, por me mënyrën si qëndrohet në to”.
“Çdo votë që na u dha është përgjegjësi, dhe çdo besim i qytetarëve është amanet. Ne mbetemi aty ku kemi qenë gjithmonë: Me këtë rrugë politike, me Fatmir Limajn dhe me njerëzit që besojnë se politika bëhet me qëndrueshmëri, e jo me kalkulime të momentit. Ky nuk është fundi i rrugës”, shkruan mes tjerash Shala.
Reagimi i plotë:
Të dashur votues, përkrahës dhe njerëz që qëndruat me ne deri në fund,
Zgjedhjet përfunduan. Rezultati është ai që është.
Por një gjë mbetet e pandryshuar: ne e bëmë këtë rrugë drejt, me nder dhe me përgjegjësi.
Ne hymë në këtë garë me një bindje të qartë: se përballë kësaj qeverisjeje nuk mjafton secili veç e veç.
Kërkuam bashkim, kërkuam pjekuri dhe një qasje më të gjerë për interesin e Kosovës.
Ky bashkim nuk u arrit.
Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ende nuk u kuptua plotësisht sa i domosdoshëm është.
Sot po shihet qartë ajo që e kemi thënë që nga fillimi: Pa një rreshtim të vërtetë të forcave që ndajnë të njëjtin vizion për shtetin, ndryshimi mbetet i vështirë.
Megjithatë, ne nuk kemi arsye të ulim kokën.
Sepse nuk u tërhoqëm, nuk u fshehëm dhe nuk u dorëzuam.
Çdo votë që na u dha është përgjegjësi, dhe çdo besim i qytetarëve është amanet.
Ne mbetemi aty ku kemi qenë gjithmonë: Me këtë rrugë politike, me Fatmir Limajn dhe me njerëzit që besojnë se politika bëhet me qëndrueshmëri, e jo me kalkulime të momentit.
Ky nuk është fundi i rrugës!
Është një dëshmi se Kosova ka nevojë për më shumë vetëdije, më shumë bashkim dhe më pak ego.
Ne vazhdojmë.
Me kokën lart.
Me qetësi.
Me vepra.
Sepse rrugët e drejta nuk maten vetëm me një rezultat, por me mënyrën si qëndrohet në to.
E. SH






