Qeveria Federale e Gjermanisë përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se kancelari Olaf Scholz ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksnader Vucic. Ndër temat e diskutuara ka qenë edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Siç njofton qeveria gjermane, kancelari Scholz ka nënvizuar rëndësinë e dialogut në mes të dy shteteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe ka përsëritur përkrahjen e Gjermanisë për procesin.
“Kancelari Federal foli edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për këtë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në këtë bisedë telefonike siç njofton Berlini zyrtar, është biseduar edhe për rëndësinë e politikave të qëndrueshme për lëndën e parë.
“Ata diskutuan gjithashtu çështje të politikave të lëndëve të para. Kancelari Federal dhe Presidenti serb theksuan rëndësinë e një politike të qëndrueshme të lëndëve të para në Evropë dhe shkëmbimin e ngushtë për këtë çështje. Kancelari Federal ofroi mbështetje gjermane, duke përfshirë sigurimin e standardeve të larta mjedisore dhe të qëndrueshmërisë në minierat e litiumit në Serbi. Ai iu referua projekteve përkatëse gjermane për minierat e litiumit dhe sugjeroi ndarjen e ekspertizës ekzistuese për projektimin e qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit të projekteve të tilla”, thekson njoftimi.
Scholz dhe Vuçiq janë pajtuar që të vazhdojnë shkëmbimin e tyre të hapur dhe të mbesin në kontakt