Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë fjalimit të tij hapës në samitin e Procesit të Berlinit, i cili ka mbledhur më 3 nëntor liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së.
“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë”, tha Scholz, nikoqir i samitit.
Ai shtoi se Procesi i Berlinit synon edhe përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se realizimi i dëshirës së këtyre vendeve për të hyrë në BE “është në interesin tonë”.
“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Scholz, duke shtuar se nënshkrimi i tri marrëveshjeve sot është një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi.
Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.