Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, këmbëngul se vendi i tij nuk do t’i heqë kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve gjermane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, pavarësisht lutjeve të Kievit.
Scholz theksoi se në mesin e atyre vendimeve janë edhe kufizimet që ia ndalojnë Ukrainës të hedhë raketa gjermane thellë brenda territorit të Rusisë
“Kjo nuk është në përputhje me qëndrimin tim personal. Ne nuk do ta bëjmë këtë dhe kemi arsye të mirë për këtë”, shtoi Scholz, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Zelensky u është lutur vazhdimisht partnerëve perëndimorë ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për t’i goditur shënjestrat thellë brenda tokës ruse, përfshirë fushat ajrore dhe depot e naftës të përdorura nga ushtria.
Arma me rreze më të gjatë veprimi që Gjermania ia ka dhuruar deri tani Kievit është raketahedhësi MARS II, i cili mund ta godas shënjestrën 84 kilometra larg.
Berlini i ka dhënë leje Kievit ta përdorë këtë raketahedhës vetëm në hapësirë të kufizuar brenda tokës ruse, në afërsi të qytetit kufitar ukrainas, Harkiv.
Scholz nuk ka pranuar ta furnizojë Kievin me armë precize me rreze të gjata veprimi, pavarësisht vendimeve të aleatëve të Gjermanisë në NATO.
Gjermania nuk dëshiron t’i japë Ukrainës raketa lundruese Taurus, e cila mund të godasë rreth 500 kilometra larg, duke argumentuar se “kjo do ta rriste rrezikun dukshëm për përshkallëzimin e luftës”.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë furnizuar Kievin me raketa lundruese të cilat mund ta godasin shënjestrën deri në 300 kilometra larg. Ato janë duke shqyrtuar vendimin se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i përdorë këto raketa për sulme ndaj shënjestrave thellë brenda Rusisë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. /REL/