Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu sot në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova tregoi pse nuk arriti që të hyjë në Kuvend, duke thënë se gara brenda PDK-së ka qenë e fuqishmë.
Megjithatë, Haxhiu u shpreh se ka marrë mbi 18 mijë vota, duke thënë se ndihet i vlerësuar nga qytetarët, përcjell Klankosova.tv.
“E para çka mendoj është se jam vlerësuar prej qytetarëve jashtëzakonisht shumë, sepse i kam marrë 18 mijë e 600 vota dhe me këto vota jam bukur më shumë i votuar se ndoshta gjysma e deputetëve që janë aktualisht në Vetëvendosje e në subjektet e tjera politike”.
“Gara brenda Partisë Demokratike ka qenë një garë jashtëzakonisht e fuqishme, me njerëz me vlera, me kontribut, ka qenë garë konkurruese dhe askënd nuk e fajësojë, sepse në këtë aspekt ka qenë vullnet i votuesve të Partisë Demokratike të përzgjedhin”.
“Mirëpo, edhe një gjë duhet ta kuptojmë që ndryshimi i modelit të votimit dhe të votave preferenciale ka krijuar mundësinë e krijimit të grupacioneve, ndërsa unë tërë jetën time nuk kam qenë person që bëjë grupacione, punën jam munduar ta bëjë me dinjitet”, u shpreh tutje Haxhiu./Klankosova.tv