10.9 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

- Advertisement -
I dërguari gjerman për Ballkanin Manuel Sarrazin: Gjermania nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës, por moskrijimi i tij pengon Kosovën drejt BE-së.

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka vizituar dy herë Prishtinën brenda tre javëve për të diskutuar me autoritetet kosovare Procesin e Berlinit dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimeve në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit politikë të Listës Srpska, emisari gjerman tha se Gjermania kurrë nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës. Por sipas tij, moskrijimi i Asociacionit nuk e çon Kosovën drejt BE-së.

“Jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet”

Politikani gjerman, theksoi, se “tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit”. “Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, deklaroi shkurt Sarrazin.

Kusht shtesë për Kosovën?

Në fund të muajit prill, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës pritet të votojë raportin e raportueses, Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Ndonëse jo zyrtarisht, në medie në Prishtinë ka debat, se diplomatët perëndimorë kanë përmendur mundësinë që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë “kusht” shtesë që Kosova duhet ta përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Gjermania nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis

Sipas diplomatit gjerman Manuel Sarrazin, Gjermania ende nuk ka një qëndrim të tillë. “Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis, është procedura më tej e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë”, tha Sarrazin.

Lisa Srpska nuk tërhiqet nga bojkoti

I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, tha se zhvillimet e fundit në veri, sidomos vendimi i Listës Srpska që të bojkotojë votimet e 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve shqiptar në komunat veriore, e sollën atë në Kosovë. Sarrazin pati takim edhe me përfaqësues të Listës Srpska, dhe tha se nuk kishte ndonjë sinjal se ata do të tërhiqen nga vendimi i tyre. “Nga ky takim nuk më dhanë shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, tha emisari gjerman.

Edhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT-it, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe zyra e BE-së i kërkuan Listës Srpska që të tërhiqet nga vendimi për bojkotim të zgjedhjeve të 21 prillit në veri të Kosovës me të cilat parashihet shkarkimi i kryetarëve shqiptarë. “Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në deklaratën e Quint. Me tej thuhet se zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023,ë kur me një pjesëmarrje të ulët në votime u zgjodhën kryetarët shqiptar, “nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”.

Pavarësisht thirrjeve të Listës Srpska për bojkotim të zgjedhjeve votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë do të mbahet më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këtë kuadër QUINT i bën thirrje Qeverisë së Kosovës “që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi”./DW/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit