Kryetari Fadil Berjani thotë se Kosova nuk importon karburante nga Serbia dhe rrjedhimisht “nuk do të ketë as lëvizje të çmimeve të naftës dhe të benzinës në vend”.
Dogana e Kosovës konfirmon se gjatë vitit 2024 nuk ka pasur fare importe të naftës dhe benzinës nga Serbia.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq, thonë se sanksionet ndaj NIS-it mund të ndikojnë në ngritjen eventuale të çmimeve të produkteve në Serbi, të cilat më pas importohen në Kosovë.
Më 10 janar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve, për shkak të aksioneve që ka në të kompania ruse, Gazprom Neft.
Qëllim i sanksioneve është ta pengojnë Rusinë që t’i përdorë të ardhurat nga energjia për luftën e saj në Ukrainë.
Nuk ka varësi nga Serbia
Naftëtarët e Kosovës janë të gatshëm dhe e kanë të lehtë ta mbështesin embargon ndaj importit të karburanteve nga Serbia, thotë Berjani.
Sipas tij, ata nuk importojnë fare naftë nga Serbia dhe nuk kanë asnjë lidhje me NIS-in.
“Të gjithë importuesit që i ka Kosova – rreth 60 syresh – importojnë nga Porto Romano, nga Durrësi në Shqipëri”, thotë Berjani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave që siguroi REL-i nga Dogana e Kosovës për vitin 2024, Kosova ka importuar mbi 808 milionë litra naftë, në vlerë prej mbi 501 milionë eurosh, dhe mbi 92 milionë litra benzinë, në vlerë prej rreth 56 milionë eurosh.
Gjatë vitit 2023, ndërkaq, janë importuar mbi 740 milionë litra naftë, në vlerë prej mbi 507 milionë eurosh, dhe mbi 86 milionë litra benzinë, në vlerë prej mbi 55 milionë eurosh.
Atë vit, importi i karburanteve nga Serbia ka përbërë më pak se 1 për qind të sasisë së tërësishme të importit, sipas Doganës, ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur fare.
Efektet eventuale “minimale”