Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), kryetari i Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sanduloviq, ka mohuar akuzat për vepër penale të cilën është akuzuar dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi ligjore për “torturën” e përjetuar.
Sandulloviq është shprehur se është rrahur dhe kërcënuar nga pjesëtaret e BIA-së, ndërsa ka shtuar se edhe familja e tij është këcënuar.
Ai ka ngritur shqetësimin për gjendjen e shtetit të drejtësisë në Serbi dhe ka bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe të drejtë për të zbardhur të vërtetën..
“Më rrahën, më rrahën dhe më kërcënuan mua dhe familjen time. Kjo tregon se në çfarë lloj sistemi jetojmë. Unë nuk do të ndërhyj dhe ndikoj në hetim në asnjë moment, por do të kërkoj përgjegjësi të plotë për atë që më ndodhi. Nëse ka drejtësi dhe nëse prokuroria në Serbi është e pavarur, atëherë do të zbulohet rasti im”, tha ai.
Ai ka theksuar se është i përkushtuar ndaj vlerave të paqes dhe pajtimit në rajon dhe ka shpjeguar se vendosja e luleve mbi varrin e një vajze shtatëvjeçare nuk duhet të konsiderohet një vepër penale.
“Çfarë krimi është nëse i vendos lule mbi varrin një vajze të vrarë shtatëvjeçare, ku ka faj ajo, kushdo qoftë babai i saj, çfarë lidhje ka kjo me vajzën. E bëra si njeri, babai, bashkëshorti, si lider i një partie, politika e së cilës është paqja dhe pajtimi në rajon. E konsiderova si detyrim njerëzor dhe moral të shpreh respektin dhe keqardhjen për vrasjen e një vajze shqiptare në këtë rast, të gjithë fëmijët janë viktima të pafajshme”, thotë Sandulloviq.