Profesori universitar, Avdi Smajljaj ka thënë se një Qeveri e re e votuar në Kuvend, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, mund të mos njihet nga disa vende mike.
Këtë ai e ka thënë duke komentuar deklarimet e disa ambasadorëve të vendeve aleate të Kosovës, lidhur me çështjen e konstituimit të Kosovës.
“Tek insistimi i ambasadorëve ndërkombëtarë, besoj se është në vazhdën e asaj që shohin fuqizimin e shtetit të Kosovës në kuadër të integrimit të të gjitha komuniteteve. Dhe në një situatë hipotetike ku vlerësojmë se Kuvendi është konstituuar, nuk zgjedhet nënkryetari nga komuniteti serb, ndoshta njëri prej këtyre shteteve thotë se nuk e njoh Qeverinë që ka dal nga ky Kuvend, jo shtetin, Qeverinë”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë dhe ai Mbretërisë së Bashkuar, në takim me presidenten Osmani kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosformimin e institucioneve.
Ata kanë bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet sipas Kushtetutës.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedh nënkryetarin nga komuniteti serb. Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka thënë se seanca konstituive është e mbyllur, pasi sipas tij, pika e katërt e kësaj seance është ezauruar.