28.1 C
New York
Sunday, October 5, 2025

Buy now

Samiti në Kopenhagë, Politico: Si e hodhën poshtë vendet e BE-së propozimin e Costa për heqjen e vetos në zgjerim

- Advertisement -
Nga propozimi për një “mur dronësh” deri te përdorimi i aseteve të ngrira, rendi i ditës ishte i gjatë dhe i detajuar. Rezultatet, më pak.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian kaluan një ditë në kryeqytetin danez duke diskutuar se si ta forcojnë sigurinë e kontinentit.

“Ne jemi të shqetësuar – unë jam shumë i shqetësuar – dhe tani është koha për të vepruar”, i tha kryeministri finlandez Petteri Orpo POLITICO-s në krah të samitit.

Nuk shkoi krejtësisht sipas planit, me shumë biseda por pak rezultate. Udhëheqësit nuk janë aspak më pak të shqetësuar se më parë.

Ja çfarë ndodhi:

1. Asetet e ngrira mbeten në ngrirje, për momentin

Vendet e BE-së nuk ishin të gatshme ta miratonin një plan të Komisionit Europian për t’i përdorur asetet e ngrira ruse për ta financuar një hua për Ukrainën.

Komisioni dëshiron t’i ofrojë Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, duke shkëmbyer paratë e ngrira ruse nga asetet me një kontratë të personalizuar borxhi me Euroclear, institucionin financiar me bazë në Belgjikë që ruan depozitat. Zyrtarët e BE-së e shohin këtë si një zgjidhje të zgjuar për ta shmangur sekuestrimin, gjë që mund ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Një nga arsyet pse marrëveshja nuk u arrit në Kopenhagë është se disa vende, veçanërisht Belgjika, kërkojnë siguri se plani është i vlefshëm ligjërisht.

Kryeministri belg Bart De Wever ishte më i kujdesshmi, pasi vendi i tij do ta mbante barrën e çdo padie ruse.

Pas samitit, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, u përpoq ta siguronte Belgjikën dhe vendet e tjera hezituese se sipas planit të saj asetet nuk do të konfiskohen dhe se “rreziqet duhet të ndahen mbi supe më të gjera”.

Por kjo nuk ishte e mjaftueshme – të paktën, ende jo. Samiti i ardhshëm, më vonë këtë muaj, mund të jetë “dita e vendimit”, tha presidenti i Këshillit Europian, António Costa.

2. Udhëheqësit i thonë Komisionit: Ne ende jemi përgjegjës për mbrojtjen

Dy orët e planifikuara për të diskutuar për mbrojtjen e përbashkët përfunduan duke zgjatur dyfishin e kohës.

Ndërsa vendet në përgjithësi mirëpritën propozimet e Komisionit, udhëheqësit këmbëngulën të kenë më shumë ndikim.

Për shkak të nevojës për diskutime të mëtejshme, takimet midis 27 ministrave të mbrojtjes të bllokut dhe diplomates së lartë të BE-së, Kaja Kallas, do të zhvillohen më shpesh, tha një zyrtar i BE-së me njohuri për ecurinë e samitit.

BE-ja ende duhet t’i përcaktojë detajet e të ashtuquajturit “mur dronësh”, për të cilin nuk pati marrëveshje të mërkurën. Ky do të jetë “një sistem antidron që është në gjendje të bëjë zbulim të shpejtë, ndërhyrje dhe, nëse është e nevojshme, neutralizim”, tha von der Leyen.

Fuqi të mëdha europiane si Franca dhe Gjermania shprehën skepticizëm ndaj një muri dronësh të menaxhuar nga Komisioni, ndërsa vendet jugore po kërkojnë një koncept më të gjerë që do t’i mbrojë edhe kufijtë e tyre.

3. Merz nuk arriti ta vendosë axhendën

Kancelari gjerman Friedrich Merz hyri në samit me dëshirën për të folur për konkurrueshmërinë – dhe dështoi.

“Do t’i kemi dy tema kryesore për t’i diskutuar: së pari, konkurrueshmërinë e industrisë europiane dhe nivelin e lartë, tepër të lartë, të rregullimit në Europë”, u tha Merz gazetarëve në mbërritjen e tij në Kopenhagë. “Së dyti, fatkeqësisht, do të duhet të flasim përsëri për luftën kundër Ukrainës”.

Dukej se Merz nuk e kishte lexuar orarin zyrtar, i cili përfshinte një sesion mbi mbrojtjen dhe një mbi Ukrainën. Megjithatë, zyrtarët në samit nuk kishin iluzione se mesazhi i tij ishte i drejtuar kryesisht për publikun vendas. Udhëheqësi gjerman ndodhet nën presion në rritje për ta ringjallur ekonominë më të madhe të BE-së dhe për t’i përmbushur reformat e gjera dhe ndryshimet e shpejta mbi të cilat e bazoi fushatën e tij elektorale.

4. Takimet mbretërore ia kalojnë gjithçkaje tjetër

Pika përfundimtare e samitit të Kopenhagës u diktua nga një ftesë për darkë. Familja mbretërore daneze i ftoi udhëheqësit e BE-së për darkë në orën 19:00.

Kjo ftesë shtoi presionin e një afati kohor. Por sesioni mbi sigurinë dhe mbrojtjen zgjati katër orë, dyfish më shumë se sa ishte planifikuar, sepse udhëheqësit shkuan përtej pikave të tyre të përgatitura dhe iu përgjigjën pyetjeve spontanisht. Costa, i cili drejtoi mbledhjen, nuk guxoi ta ndërpriste, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e diskutimeve, tha një zyrtar i BE-së, i cili mohoi që zgjatja të kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve.

Udhëheqësit më në fund arritën në darkë me kohë. Vetëm von der Leyen, Costa dhe Fredriksen u kthyen në vendin e samitit për t’i informuar mediat.

5. Të gjithë anëtarët e klubit duan të vendosin kush mund të hyjë

Ideja e Costës për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE nuk funksionoi. Dhe kjo nuk ishte surprizë.

Siç raportoi POLITICO të hënën, Costa kishte propozuar ndryshimin e rregullave të BE-së në mënyrë që bisedimet formale të anëtarësimit të mund të fillonin me mbështetjen e një shumice të cilësuar udhëheqësish, në vend që të kërkohej pëlqimi unanim. Kjo ishte e papranueshme për kryeministrin hungarez, i cili është udhëheqësi i BE-së më i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Por edhe vende të tjera, përfshirë Francën, Holandën dhe Greqinë, kundërshtuan dhe e lanë propozimin të bjerë poshtë.

Gjatë samitit, Orbán ishte një nga të paktët udhëheqës që foli për planin. Dhe kjo vetëm për ta refuzuar.

Të ngjashme

Të fundit