32.5 C
New York
Wednesday, June 25, 2025

Buy now

Samiti i NATO-s, një hap pas për Ukrainën, Aleanca armatoset për kërcënime të mundshme nga Rusia.

- Advertisement -

Udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën të martën në mbrëmje në pallatin Huis ten Bosch në Hagë për një darkë shtetërore të organizuar nga familja mbretërore holandeze, me rastin e samit të aleancës perëndimore të mbrojtjes.

Ky takim është takimi i parë i NATO-s në të cilin merr pjesë presidenti Donald Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Si mysafir i çiftit mbretëror holandez Presidenti i SHBA-së do të qëndrojë në Pallatin Huis ten Bosch gjatë samitit dy-ditor në Hagë.

Tema kryesore e takimit është marrja e vendimit për shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe për armatosjen e NATO-s, që do të jenë më të mëdhatë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Deri në vitin 2035 shpenzimet për mbrojtjen pritet të arrijnë në pesë përqind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Aktualisht ato janë dy përqind. Në të ardhmen të paktën 3.5 përqind e PBB-së duhet të shpenzohet për shpenzimet e zakonshme ushtarake. Përveç kësaj në shumën prej 5% do të merren në konsideratë edhe investimet për luftën kundër terrorizmit ose për infrastrukturën që mund të përdoret edhe nga ushtria.

Kancelari Friedrich Merz që përfaqëson Gjermaninë në takim, tha para nisjes për në Hagë se Gjermania është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi brenda aleancës. “Gjermania është rikthyer në skenën evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Merz.

Në një deklaratë qeveritare para samitit kancelari Merz kritikoi Presidentin Putin që vazhdon të mos shfaqë gatishmëri për paqe. Ai bëri sërish thirrje për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe shprehu besimin se edhe qeveria amerikane do ta ndjekë këtë rrugë. “Putini e kupton vetëm gjuhën e forcës”, theksoi Merz.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i dërgoi një mesazh lajkatues presidentit Trump, një screenshot të të cilit Trumpi e botoi në Truth Social. Në mesazhin e tij personal Rutte shkrunte: “Nuk ishte e lehtë, por i bëmë të gjithë të nënshkruanin premtimin për 5 përqindëshin! Donald, ti na ke çuar në një moment vërtet, vërtet të rëndësishëm për Amerikën, Evropën dhe botën”.

Në stilin e Trumpit, i cili përdor shkronja të mëdha, Rutte shtoi: “Europe is going to pay in a BIG way, as they should, and it will be your win.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili merr pjesë si i ftuar në takim, do të ketë më tepër një rol figuranti. Nën presionin e Trumpit aleanca nuk do t’i lëshojë Ukrainës një çek të ri me vlerë në miliarda. Po ashtu sipas diplomatëve në deklaratën përfundimtare nuk do të përmendet ideja e një perspektive pranimi në NATO për Ukrainën, ndryshe pra nga samiti i fundit në Uashington me paraardhësin e Trumpit, Joe Biden.

Në përgjithësi samiti në Hagë shënon një hap prapa për Ukrainën. Vitin e kaluar presidenti ukrainas ishte ende në qendër të vëmendjes: aleatët i premtuan atij mbështetje me një vlerë prej 40 miliardë eurosh dhe në fund madje i ofruan rreth 50 miliardë euro. Po ashtu me kërkesën e SHBA-së, Zelensky nuk do të jetë në seancën e samitit./Dw/

Të ngjashme

Të fundit