9.6 C
New York
Thursday, November 21, 2024

Buy now

Samiti i BE-së në Budapest: Ekonomia duhet forcuar

- Advertisement -

Mario Draghi pati sërish një prezantim të madh në Budapest. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe ish-kryeministri i Italisë u shpjegoi për herë të dytë 27 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së, se si Evropa mund të rifitojë aftësinë ekonomike të konkurrencës kundrejt ShBA-së dhe Kinës.

Draghi për këtë në fillim të shtatorit paraqiti një raport prej 400 faqesh, të cilin e prezantoi në samitin e BE-së në Bruksel në tetor. Meqenëse atëherë nuk kishte shumë kohë në dispozicion për të folur intensivisht lidhur me rekomandimet e Draghit, u diskutua tani në samitin jozyrtar të presidencës hungareze, që u zhvillua në stadiumin e futbollit Puskas në Budapest, raporton DW.

Eksperti Draghi bën një gjë të qartë: Koha nuk pret. Vendimet duhet të merren tani, jo ndonjëherë, tërhoqi ai vëmendjen. Rizgjedhja e tifozit të doganave Donald Trump në ShBA i kanë bërë këto vendime “edhe më urgjente, se deri përpara një jave”, tha Draghi.

Çfarë parashikon raporti i Draghit?

Në periudhën e krizës së rëndë financiare përpara dymbëdhjetë vjetësh, Mario Draghi si president i BQE-së shpëtoi monedhën e përbashkët, euron dhe shtetet e BE-së nga falimentimi. Fjalia e tij ikonike “whatever it takes”, do të bëhet “çfarëdo që të jetë e nevojshme” për të shpëtuar euron, i qetësoi asokohe tregjet financiare. Çfarë rekomandimesh dha Draghi të premten (08.11.2024) në Budapest?

  1. Evropa duhet të lëvrojë çdo vit deri në 800 miliardë euro për investimet, shkencën, zhvillimin dhe infrastrukturën si dhe për mbrojtjen, që të mund të konkurrojë me ShBA-në dhe Kinën. Kuota e investimeve duhet të rritet nga 22 deri në 27 për qind të produktit bruto në vend. Tendenca në shumë vende anëtare për t’i ulur investimet, duhet të kthehet në kahun e kundërt. Evropa vitin e ardhshëm pritet të ketë një rritje me 1,2 për qind. ShBA do të ketë një rritje dy herë më të lartë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
  2. Për financimin e investimeve publike BE duhet të marrë borxhe të përbashkëta për projekte të përbashkëta. Borxhet, barra e të cilave përpjesëtohet me kuotë ndër vendet anëtare të BE-së, janë marrë për herë të parë bashkërisht në nivel të BE-së në kohën e pandemisë së koronavirusit. Sipas ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe asokohe ministrit të Financave në kabinetin e saj Olaf Scholz, ky borxh duhej të ishte një përjashtim i vetëm. Tregu i brendshëm i BE-së duhet të realizohet plotësisht. Urgjentisht i nevojshëm është një union i tregut të kapitalitt, pra një qarkullim pa kufi i kapitalit dhe kredive ashtu si në kontinentin amerikan, në mënyrë që të mund të mobilizohen më shumë mjete financiare private.
  3. BE duhet të zgjidhë “problemin e saj me Kinën”. Ekonomia në Evropë është shumë e varur prej zinxhirit të furnizimit nga Kina dhe nga Republika Popullore si treg i saj për eksportet. BE duhet t’i kundërvihet konkurrencës pjesërisht jo korrekte dhe subvencioneve shtetërore nga Kina. Industria duhet të bëhet më e pavarur nga lëndët e para dhe furnizimi me pjesë këmbimi nga Kina. Kina është aktualisht partneri i dytë tregtar më i madh i Evropës pas ShBA-së.
  4. Degë të rëndësishme të industrisë dhe sipërmarrje të reja të teknologjisë me potencial zhvillimi duhet të mbahen dhe të themelohen në Evropë. Kushtet për sipërmarrjet duhet të përmirësohen. Shumë firma që synojnë rritjen duan ta zhvendosin prodhimin jashtë Evropës. Presioni do të rritet edhe më shumë, sepse presidenti i ri i ShBA-së, Donald Trump ka si objektiv që të vendosë dogana ndaj produkteve evropiane në ShBA. Një strategji e unifikuar për industrinë e BE-së është e nevojshme për forcimin e sipërmarrjeve vendase, për të zgjidhur çështjet e taksave, zonës së prodhimit dhe të tregtisë.
  5. Proceset e vendimmarrjes në BE duhet të jenë më të shkurtra dhe burokracia duhet të pakësohet. “Evropa nuk arrin të koordinohet kur është e nevojshme. Rregullat evropiane të vendimmarrjes nuk janë zhvilluar më tej, kur BE-ja u zgjerua dhe mjedisi global u bë më armiqësor dhe më kompleks”, shkruan Mario Draghi në raportin e tij. Përpilimi i ligjeve zgjat normalisht 19 muaj në BE, një kohë shumë e gjatë kjo. BE deri në vitin 2019 ka nxjerrë 13.000 ligje të rëndësishme për ekonominë, ndërsa ShBA vetëm 3000. “A nuk mund të kemi ne më pak rregullore me më shumë efikasitet?”, shtron pyetjen Draghi.

Si do të ecet më tej?

Krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së në një deklaratë të përbashkët i përshëndetën rekomandimet, që prezantoi eksperti italian. Por nëse ato do të vihen shpejt në jetë, kjo nuk u bë e qartë as në Budapest.

Veçanërisht i diskutueshëm është financimi i investimeve përmes borxheve. Në të kundërt Gjermania bashkë me vende të tjera që janë kundër borxheve si Austria apo Holanda e kanë kundërshtuar këtë. Franca dhe Italia janë të hapura për borxhe të përbashkëta të BE-së. Komisioni i ri i BE-së, që nis mandatin në dhjetor, duhet të paraqesë propozime, se si mund të financohen investimet.

Sa i përket shmangies së burokracisë së tepërt ky është një preokupim që ekziston prej vitesh në BE. I pari që pati dhënë këshilla për shmangin e burokracisë së BE-së ka qenë kryeministri i Bavarisë, Edmund Stoiber. Ai pati punuar në mënyrë honorifike me 15 bashkëpunëtorë të tjerë nga viti 2007 deri më 2015 në qendrën e Brukselit. Por rekomandimet e tij deri më sot nuk kanë pasur efekt. /DW/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit