Ashtu siç bën përherë, anëtari i VV-së në KQZ, i njohur për sjelljet e tij skandaloze, ka eskaluar në gjuhë ndaj gazetarëve, mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Në një postim në rrjete sociale, Kurteshi ka përdorur gjuhë tejet të tmerrshme.
“Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ. Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“”, ka shkruar ai.
Reagimet ndaj tij kanë qenë të menjëhershme.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e thirrur që menjëherë të ndalë fushatën e njollosjes ndaj gazetarëve që po zhvillohet nga një anëtar i partisë së tij.
Gutierrez reagoi pas deklarimeve të Sami Kurteshit, i cili e ka përshkruar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë të grupeve kriminale”. Sipas tij, një krahasim i tillë është “skandaloz dhe i padenjë” dhe përbën sulm ndaj një organizate të respektuar evropiane të gazetarëve.
Në mesazhin e tij publik, Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së paralajmëroi se tolerimi i një gjuhe të tillë nga instancat më të larta politike dëmton jo vetëm gazetarët dhe besueshmërinë e tyre, por edhe vetë shtetin e Kosovës. Ai i kërkoi Kurtit që të mos lejojë që partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të përdorë fyerje dhe diskreditim ndaj kujtdo që guxon ta mbajë përgjegjës pushtetin.
“Kryeministër në detyrë Kurti, ju bëj thirrje që menjëherë t’i jepni fund fushatës së njollosjes që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve. Sami Kurteshi e ka përshkruar organizatën tonë partnere, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë të grupeve kriminale”. Ky krahasim i një organizate evropiane të gazetarëve, shumë të respektuar, me një grup kriminal është njëkohësisht skandaloz dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar, e cila thjesht po e bën punën e saj: të mbrojë gazetarët dhe gazetarinë. Zoti Kurti, duke i toleruar shpërthime të tilla, ju po i minoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që vetë partia juaj, VV, t’i denigrojë të gjithë ata që guxojnë t’ju kërkojnë llogari juve dhe vendimmarrësve të tjerë”, ka shkruar Gutierrez.
“Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund këtij intimidimi para se të jetë tepër vonë. Kam parë shumë gazetarë të vuajnë nga abuzimet dhe sulmet fizike, shumë shpesh pasi më parë janë denigruar publikisht. Ju keni përgjegjësi t’i jepni fund këtyre praktikave me sjellje mafioze.
Përndryshe, do të jeni bashkëpjesëmarrës në to”, tha ai.
Një reagim të ashpër e pati edhe kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
“Shumë e rëndë, e papranueshme, por aspak e befasueshme dhe e çuditshme. Nuk është hera e parë që zoti Kurteshi na quan ‘Aleancë e Grupeve Kriminale’, edhe gazetarët tjerë i ka quajtur vrasës me pagesë. Kjo tregon atë që ai në fakt është, recidivist”, tha Rexha.
“Ne e kemi bërë një konstatim, asnjë përpjekje për t’ia kthyer me gjuhën e njëjtë. Pra, kushdo që e përsërit veprën quhet recidivist. Dhe Zoti Kurteshi, për vite të tëra ka bërë sulme brutale ndaj mediave. Përveç të papranueshme, janë edhe shumë të rrezikshme. Të quhen gazetarët vrasës me pagesë, të numërohen mediat, dhe organizata e vetme që i mbron gazetarët në Kosovës, ‘Aleancë e Grupeve Kriminale’, sipas optikës së zotit Kurteshi, jemi aleancë e grupeve kriminale”, tha ai.
Reagoi edhe juristja e medias, Flutura Kusari.






