Ndarja e mjeteve nga ana e Qeverisë së Kosovës për investime kapitale në komuna, po cilësohet diskriminuese nga ana e kryetarëve që përfaqësojnë partitë opozitare.
Ata kanë thënë se shumica e parave që i ka ndarë qeveria, kanë shkuar në drejtim të komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas analistit të politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, mbi 59 për qind e mjeteve kanë shkuar në Podujevë, Shtime, Kamenicë dhe Gjilan.
“Tek kjo tabela që po pasqyrohet, këtu janë 21.8 milionë euro, afro 60 për qind shkojnë tek komunat e udhëhequra nga VV-ja, apo 13. 8 milionë euro. Këto janë projektet e reja kapitale. Lidhur me këtë nuk ka pasur ndonjë arsye. Kjo është në diskrecionin e ministrive se kah po duan t’i orientojnë këto mjete”, tha Salihu në Rubikon të Klan Kosovës.