Sali Berisha përpiqet të identifikohet gjithnjë e më shumë me Albin Kurtin, duke mbështetur çdo veprim të tij.
Së fundmi Berisha e ka lavdëruar Kurtin për vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut, e cila nxiti polemika të forta në vendin fqinj, për ndërhyrjen e kryeministrit të Kosovës në çështje të brendshme të Maqedonisë.
Vizita jo formale në Maqedoninë e Veriut ngjalli edhe disa probleme të panevojshme protokolli dhe simbolesh të cilat për shkak të ndjeshmërive që ekzistojnë në trevat e këtij rajoni duhet shmangur. Por unë nuk dua të futem në polemikën që ka shoqëruar vizitën jo formale të z. Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, në komunat e Tetovës dhe Çairit në Shkup as edhe në interpretimet dhe pretendimet e forcave politike shqiptare dhe autoriteteve zyrtare lokale dhe qendrore të vendit. Por e konsideroj të rëndësishëm për rolin pozitiv të faktorit shqiptar, mbajtjen e raporteve të hapura pavarësisht nga preferencat dhe orientimet partiake me të gjitha forcat politike shqiptare në rajon dhe evitimin e thellimit të një procesi përçarës që Edi Rama, sapo erdhi në pushtet e nisi me forcat politike në Kosovë dhe e vazhdoi më pas edhe në Maqedoninë e Veriut. Përplasjet protokollare të padobishme të kësaj vizite me autoritet zyrtare maqedonase kanë zanafillë rreshtimin antihistorik të Shkupit dhe Tiranës zyrtare në një aleance trilaterale me Beogradin në projektin serbo-rus të Ballkanit të Hapur me të cilin Kurti nuk u pajtua dhe ka meritën e padiskutueshme të kundërshtimit të tij dhe mbështetjes në vend të tij të procesit të Berlinit. Mendoj se vazhdimi i mbështetjes së Ballkanit të Hapur është vazhdim i përçarjes së mëtejshme që solli projekti serbo-rus i Ballkanit të Hapur dhe duhet konsideruar seriozisht nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, mbasi viktimat më kryesore të serbomadhisë në rajon do të ishin shqiptarët dhe maqedonasit.
Mirëpo ajo që më lendoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Europës, tribunit të lirisë, lauratit të Çmimit Saharov të Parlamentit Europian. Adem Demaçi me qendresen e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe per maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste. Në këtë kuadër reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj ketij akti që i bënë ndere Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim.
Përveç këtyre, unë dënoj me forcë reagimin e albanofobit të pakorrigjueshëm, serbomadhit Aleksandër Vuçiç ndaj vizetës të z. Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Serbomadhisë, Vuçiç e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe.