Deputetja e betuar e PDK-së, Sala Jashari, ka komentuar mbi situatën e cila po ndodh tash e 14-të herë në Kuvendin e Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo thotë se si deputete ndjen frustrim që nuk mund të ndërhyjë në një process që po dëmton seriozitetin e institucionit.
“Pas kaq shumë dështimesh për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, është bërë e qartë: Parlamenti nuk e dëshiron kandidaten aktuale për Kryetare të Kuvendit. Si deputete, ndjej frustrim që nuk mund të ndërhyj në një proces që po dëmton seriozitetin e institucionit.”, ka shkruar Jashari.
Tutje, ajo thotë se për të është parimore të respektojë rregullat dhe procedurat e Kuvendit, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Fatkeqësisht, këtë standard nuk po e mban udhëheqësi aktual i seancave. Respekti për institucionet nuk tregohet me fjalë, por me vepra”, përfundoi deputetja.