Justin Baldoni ka ngritur padi ndaj New York Times pas raportimit që ai dhe ekipi i tij i marrëdhënieve me publikun qëndronin pas një fushate shpifjeje ndaj koleges së tij të në filmin “It Ends With Us”, Blake Lively.
Në padinë prej 87 faqesh, të depozituar të martën më 31 dhjetor dhe të zbardhur nga “People”, Baldoni dhe një grup prej nëntë paditësish të tjerë, përfshirë kompaninë e tij të prodhimit “Wayfarer Studios”, partnerët e biznesit dhe ekipin e tij të marrëdhënieve me publikun, po padisin New York Times duke kërkuar si dëmshpërblim 250 milionë dollarë. Ata akuzojnë median për shpifje dhe mashtrim.
Pasi aktorja Blake Lively depozitoi padinë për ngacmim seksual ndaj Baldoni, “The Times” publikoi artikullin “‘We Can Bury Anyone’: Inside a Hollywood Smear Machine” të shtunën më 21 dhjetor.
Paditësit, përfshirë Baldoni dhe producentët e “It Ends With Us”, Jamey Heath, Steve Sarowitz, së bashku me Jed Wallace, publicistet Melissa Nathan dhe Jennifer Abel, akuzojnë “The Times” për përdorimin e “komunikatave të zgjedhura me kujdes dhe të ndryshuara, të hequra nga konteksti i nevojshëm dhe qëllimisht të përpunuara për të mashtruar” në artikull.
Në përgjigje, New York Times mbrojti artikullin si “të raportuar me kujdes dhe përgjegjësi.”
“Teza kryesore e artikullit, e përmbledhur në një titull shpifës të dizajnuar për të mashtruar menjëherë lexuesin, është se paditësit orkestruan një fushatë hakmarrjeje të marrëdhënieve me publikun kundër Lively për shkak të fjalëve të saj mbi ngacmimin seksual—një premisë që është kategorikisht e pavërtetë dhe e lehtë për t’u provuar,” thuhet në padi.
Padia pastaj rendit disa shembuj që refuzojnë pretendimet që janë bërë jashtë kontekstit.
Për shembull, artikulli i Times shkroi se “[Baldoni] hyri disa herë në dhomën e grimit të [Lively], pa ftesë, ndërkohë që ajo ishte e zhveshur, përfshirë kur ajo po ushqente fëmijën e saj me gji.”
Megjithatë, padia e Baldoni tregon mesazhe tekstuale të dyshuara nga Lively, ku ajo shkruan, “Po pompoj në trailerin tim nëse do të punojmë.” Baldoni përgjigjet, “Mirë. Po ha me ekipin dhe do të shkoj atje,” që padia pretendon se tregon se Baldoni nuk hyri pa ftesë.
Padia gjithashtu përmban mesazhe tekstuale mes ekipit të PR të Baldoni që shprehin shqetësime për raportet se ata po “krijonin një histori.” Paditësit pretendojnë se këto shkëmbime hedhin poshtë idenë që ata kanë krijuar një fushatë shpifjeje kundër aktores. Padia thotë se Baldoni “shprehu vazhdimisht dëshirën e tij për të shmangur dëmtimin e Lively dhe për të mbrojtur filmin, por gjithashtu pranoi një nevojë legjitime për mbrojtje të marrëdhënieve me publikun në dritën e pretendimeve të rreme dhe dëmtuese të Lively.”
“Në këtë fushatë shpifjeje të egër, të orkestruar plotësisht nga Blake Lively dhe ekipi i saj, New York Times u dorëzua përpara dëshirave dhe kapricove të dy elitave të fuqishme ‘të paprekshme’ të Hollywood, duke injoruar praktikat dhe etikën gazetareske që dikur i përshtateshin një publikimi të nderuar, duke përdorur tekste të manipuluara dhe të ndryshuara dhe duke përjashtuar me qëllim tekstet që kundërshtojnë narrativën e zgjedhur të PR-së,” tha avokati i Baldoni, Bryan Freedman, në një deklaratë për “People”.
Deklarata vazhdoi:
“Duke bërë këtë, ata parashikuan rezultatin e historisë së tyre dhe ndihmuan dhe inkurajuan fushatën e tyre shkatërruese të PR-së për të ringjallur imazhin e Lively, i cili ishte i dëmtuar nga vetvetja, dhe për të kundërshtuar valën organike të kritikës në mesin e publikut online.”
Në një deklaratë për “People”, një përfaqësues i New York Times tha se ata planifikojnë të “mbrojnë me forcë” padinë e Baldoni.
“Roli i një organizate të pavarur lajmesh është të ndjekë faktet ku ato çojnë,” tha përfaqësuesi i Times. “Historia jonë ishte raportuar me kujdes dhe përgjegjësi. Ajo u bazua në një rishikim të mijëra faqeve dokumentesh origjinale, përfshirë mesazhet tekstuale dhe email-et që citojmë saktësisht dhe në detaje në artikull. Deri tani, Wayfarer Studios, Z. Baldoni, subjektet e tjera të artikullit dhe përfaqësuesit e tyre nuk kanë treguar një gabim të vetëm. Ne publikuan deklaratën e tyre të plotë në përgjigje të akuzave në artikull gjithashtu.”
Padia 80-faqëshe e Lively përmbante akuzat se Baldoni e ngacmoi seksualisht dhe zhvilloi një fushatë hakmarrjeje publike kundër saj.
Aktorja pretendoi se ajo vuajti nga frika, trauma dhe ankth ekstrem si rezultat i sjelljes së dyshuar të Baldoni, përfshirë duke i treguar imazhe dhe video eksplicite, duke i kërkuar detaje për jetën e saj seksuale dhe duke u përpjekur të shtonte skena intime në film që ajo nuk i kishte rënë dakord fillimisht.
Aktorja gjithashtu pretendoi se Baldoni, së bashku me publicisten e tij Jennifer Abel dhe firmën e krizave “TAG PR” të Melissa Nathan, po përpiqeshin të manipulojnë rrjetet sociale dhe të punojnë me shtypin për të “shkatërruar” reputacionin e saj.
Të martën, më 31 dhjetor, avokatët e Lively depozituan një padi kundër Wayfarer Studios, Baldoni dhe palëve të tjera në Distriktin Jugor të New York-ut.