Home Lajme Sadriu, Gërvallës: Ministre e paditur dhe e rrezikshme, po e mban peng krejt korin diplomatik

Sadriu, Gërvallës: Ministre e paditur dhe e rrezikshme, po e mban peng krejt korin diplomatik

0
Sadriu, Gërvallës: Ministre e paditur dhe e rrezikshme, po e mban peng krejt korin diplomatik

Jehona Lushaku-Sadriu, kryetare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, se ua ka ndaluar komunikimin e ambasadorëve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Ky veprim sipas saj, është i dëmshëm për imazhin dhe marrëdhëniet diplomatike të vendit.

“Gërvalla u ka vënë litarin ambasadorëve të Kosovës. Një ministre e paditur dhe e rrezikshme ka kapur për fyti e po e mban peng krejt korin diplomatik të Kosovës. Si asnjëherë në histori, ajo ua ka ndaluar ambasadorëve të Kosovës komunikimin me jashtë, veprimtaria kryesore që ata duhej të bënin”, ka shkruar ajo në rrjetin social, Facebook.

Lushaku-Sadriu ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me mënyrën se si ministrja Gërvalla po menaxhon marrëdhëniet diplomatike, duke e quajtur këtë situatë si një pengesë për pavarësinë dhe lirinë e ambasadorëve të Kosovës për të ushtruar detyrën e tyre.

“Por jo, Kosova sot është e dënuar e nën sanksione! Kurti e Gërvalla thumbojnë diplomatë të huaj si rutinë ushqimi; e hedhin në rrjetet e tyre sociale si ‘perla’ për krenari. Krijojnë huti te qytetarët duke e vënë veten si viktimë. Krejt kjo në dëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruar tutje ajo.

Ajo ka theksuar se në një kohë kur Kosova ka nevojë për ofanzivë diplomatike për të promovuar interesat e saj në arenën ndërkombëtare, veprimet e Ministrisë së Jashtme po sjellin pasoja të mëdha dhe afatgjata, duke krijuar një ngarkesë të rëndë për të ardhmen e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Exit mobile version