Nuk ka asgjë më të shëndetshme se një gotë freskuese uji. Uji është thelbësor për mbijetesën dhe ekspertët e të gjitha llojeve vazhdojnë të predikojnë rëndësinë e hidratimit të duhur.
Pse duhet të konsumoni ujë?
Pra, pse është e rëndësishme të pini mjaftueshëm ujë në ditë? Ngase trupi i njeriut përbëhet 50 deri më 70 për qind nga uji. Çdo qelizë, indet dhe organet e trupit kanë nevojë për ujë, që të funksionojë në mënyrën e duhur. Uji jo vetëm që bartë lëndë ushqyese thelbësore në qelizat tuaja, por gjithashtu bart çdo lëndë të mbeturinave në veshka çka përfundon duke i qit jashtë trupit përmes urinës. Ndihmon gjithashtu në rregullimin e temperaturës së trupit përmes djersës dhe promovon jashtëqitje të shëndetshme, duke bërë kështu që sistemi i tretjes të funksionojë pa probleme.
Uji është gjithashtu një komponent thelbësor i lubrifikantëve që mbrojnë kockat tuaja dhe zvogëlojnë fërkimin e tyre kur lëvizni. Me fjalë të tjera, ju mund ta falënderoni ujin që ju ndihmon për të bërë aktivitete fizike të këndshme dhe për të reduktuar çdo shqetësim të mundshëm të shkaktuar nga sëmundje të lidhura me kyçet, si artriti. Për më tepër, truri e përdor ujin për të prodhuar hormone dhe neurotransmetues. Dhe nuk duhet të harrojmë për aftësinë e ujit për ta lehtësuar thatësinë e lëkurës dhe sipas hulumtimeve, për të ndihmuar në uljen e rrezikut të sëmundjeve të tilla si gurët në veshka, infeksionet e traktit urinar, hipertensioni dhe të tjerë.
Uji parandalon dehidratimin. Çdo ditë ju humbni ujë nga procese normale, të tilla si urina, lëvizjet e rregullta të zorrëve dhe djersitja. Por kur humbni më shumë lëngje sesa merrni, trupi juaj përfundon të mos ketë ujë të mjaftueshëm për të funksionuar në performancën maksimale për shkak të dehidrimit. Kjo mund të rezultojë në simptoma të tilla si dhimbje koke, marramendje, probleme me tretjen dhe lodhje. Dehidratimi gjithashtu mund të ndikojë negativisht në disponimin, kujtesën dhe aftësinë njohëse. Lajmi i mirë është se këto simptoma në përgjithësi zhduken sapo të rihidratoheni.
Sa sasi të ujit duhet ta konsumoni në ditë?
Akademia e Ushqyerjes dhe Dietologjisë pohon se gratë kanë nevojë për rreth 11.5 gota ujë në ditë dhe burrat kanë nevojë për rreth 15.5 gota në ditë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto vlerësime përfshijnë lëngjet e përgjithshme të konsumuara brenda ditës, qoftë përmes ujit, pijeve tjera të konsumuara apo edhe nga ushqimi.
Zakonisht rreth 20 për qind të H2O konsumohet përmes ushqimit, veçanërisht frutat dhe perimet. Duke marrë parasysh këtë përqindje, vlerësohet se gratë kanë nevojë për rreth 9 gota ujë në ditë dhe burrat kanë nevojë për rreth 12.5 gota ujë në ditë për të qëndruar të hidratuar.
Sidoqoftë, këto sasi uji për konsumim ditorë nuk janë të përshtatshme për të gjithë. Në fakt, sa gota ujë duhet të pini në ditë varet edhe nga disa faktorë tjerë, si ushtrimet fizike, ambienti që ju rrethon, shëndeti i përgjithshëm dhe shtatzënia dhe gjidhënia./EkonomiaOnline/