Sa pritet të zgjasë lufta kundër Iranit, tregon ushtria amerikane

- Advertisement -

Sulmi amerikano-izraelit në Iran ka hyrë në ditën e pestë dhe shumica e botës pyet sa do të zgjasë.

Informacionet që ka siguruar Politico tregojnë se Komanda Qendrore (CENTCOM) planifikon që lufta të zgjasë edhe mbi 100 ditë, madje deri në muajin shtator.

“Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM) po kërkon nga Pentagoni që të dërgojë oficerë shtesë të inteligjencës ushtarake në selinë e saj në Tampa, Florida, për të mbështetur operacionet kundër Iranit për të paktën 100 ditë, por me shumë gjasa deri në shtator”, sipas njoftimit që ka siguruar gazeta.

Kjo është kërkesa e parë e njohur e administratës për staf shtesë të inteligjencës për luftën kundër Iranit, një shenjë se Pentagoni po cakton tashmë burime për operacione që mund të zgjasin ndjeshëm më shumë se afati fillestar katër-javor që për këtë konflikt kishte vendosur presidenti amerikan, Donald Trump.

Shtimi i shpejtë i personelit dhe burimeve për të mbështetur aktivitete që zakonisht planifikohen shumë më parë se një veprim ushtarak amerikan tregon se sa pak ishte parashikuar nga ekipi i Trumpit pasojat e gjera të luftës që u nis së bashku me Izraelin të shtunën.

“Ne pamë një operacion krejt ad hoc ku dukej se askush nuk e kuptonte vërtet ose nuk besonte se veprimi ushtarak ishte i pashmangshëm. Duket sikur u zgjuan të shtunën në mëngjes dhe vendosën të nisin luftën”, tha Gerald Feierstein, ish-diplomat i lartë amerikan që ka punuar në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump që nga fillimi i agresionit ka ndryshuar disa herë informacionet që ka dhënë, por ka nënkuptuar se lufta mund të zgjasë të paktën katër javë.

Ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka sugjeruar se lufta mund të zgjasë edhe më shumë se katër javë, duke përmendur edhe gjashtë javë.

Të ngjashme

Të fundit