Nëse ndizet drita e verdhë që sinjalizon se vetura është në rezervë, disa shoferë mund të panikohen, ndërsa të tjerë i shfrytëzojnë në maksimum pikat e fundit të karburantit nga rezervuari.
Megjithatë, kjo nuk rekomandohet, sepse ngasja e shpeshtë kur vetura është në rezervë mund të çojë në dëmtim të pompës së karburantit (e cila më pas nuk lubrifikohet siç duhet), si dhe probleme me filtrin e karburantit, i cili mund të kontaminohet nga papastërtitë ose sedimentet nga fundi i rezervuarit.
Sa gjatë mund të shkojë një veturë në rezervë?
Ka shumë matje dhe kërkime, por të dhënat kryesore janë se sa karburant konsumon mesatarisht vetura. Supozohet se zakonisht mbesin rreth 5 litra naftë në “rezervë”, por sasia e saktë mund të llogariten në mënyrë më të thjeshtë.
Kur ndizet “drita rezervë”, çojeni veturën në një pikë karburanti dhe mbushni rezervuarin deri në fund. Zbrisni sasinë e karburantit të shtuar nga kapaciteti i përgjithshëm i rezervuarit (p.sh. nëse rezervuari ka një kapacitet prej 55 litrash dhe e keni mbushur me 49 litra, vetura ka pasur 6 litra në momentin që u ndez drita).
Shikoni gjithashtu konsumin mesatar të karburantit të automjetit tuaj dhe krahasojeni atë me sasinë e karburantit të mbetur në rezervuar.
Me disa vetura mund të udhëtoni më shumë se 70 km kur janë në “rezervë”, ndërsa me të tjerat më pak se 40 km. Gjithçka varet nga stili i vozitjes, nëse vozitni në qytet, në autostradë (ku konsumi është më i lartë) ose në rrugë me shpejtësi të kufizuar prej 80 km/h, ku ngasja është më ekonomike.
Megjithatë, për qetësinë dhe sigurinë, është gjithmonë mirë të dini se sa karburant ka mbetur në rezervuar pasi të ndizet drita e verdhë.