Sipas deklarimit të dorëzuar më 29 prill, Llalloshi posedon dy vetura luksoze të markës Mercedes-Benz, të blera përmes leasingut (qirasë financiare) në vitin 2023. Njëra nga veturat ka vlerë 72 mijë euro, ndërsa tjetra 36 mijë euro, duke reflektuar stilin e saj të jetesës që shpesh është në vëmendje të publikut.
Në aspektin e pasurive të paluajtshme, interpretuesja e hitit “Ditë për ditë” ka deklaruar një banesë me sipërfaqe 139.48 metra katrorë, të blerë përmes kredisë në vitin 2015 me vlerë 95 mijë euro, si dhe një kat shtëpie prej 168 metrash katrorë, e trashëguar më herët dhe e blerë në vitin 2019 me vlerë të deklaruar 218,400 euro.

Në raportin financiar të siguruar nga Telegrafi figurojnë edhe dy kredi aktive në Raiffeisen Bank, të cilat janë marrë për nevoja familjare. Shuma totale e këtyre kredive kap vlerën prej mbi 83 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur aktuale është rreth 49 mijë euro.
Ndërkohë, si artiste profesioniste, Llalloshi ka deklaruar të ardhura dhe para të gatshme në disa llogari bankare dhe në cash. Në total, ajo ka rreth 13 mijë euro kursime, përfshirë edhe 8 mijë euro të ndara në dy llogari bankare në emër të fëmijëve të saj, të cilët jetojnë me të në bashkësi familjare.

Një tjetër detaj që bie në sy është se ajo është pronare e vetme (100%) e kompanisë “Edona Band SH.P.K.”, të regjistruar më 27 dhjetor 2024 me një kapital fillestar prej 1 mijë euro.
Në pjesën e të ardhurave vjetore, Llalloshi ka deklaruar se nuk ka përfituar ende paga si deputete, meqë ky është mandati i saj i parë dhe institucionet nuk janë funksionalizuar plotësisht gjatë periudhës fillestare të mandatit.

Ky është një prej deklarimeve më të detajuara të ndonjë artisti që është pjesë e jetës politike në Kosovë, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si figura publike menaxhojnë pasurinë e tyre në përputhje me detyrimet ligjore dhe transparencën publike. /Telegrafi/