Janë blerë softuerët që do të shërbejnë për Mbikëqyrjen Elektronike, të cilave pritet t’iu shtohen edhe hallkat elektronike. Për zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike, e rëndësishme vlerësohet trajnimet për zyrtarët policorë, të cilët do të reagojnë ndaj këtyre rasteve.
Afro dhjetë vite pas ekzistimit të bazës ligjore, ka nisma konkrete për zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike.
Nga Ministria e Drejtësisë, u delegua tek Ministria e Punëve të Brendshme, marrëveshjet në kuadër të këtij ligji.
E pak ditë më parë, MPB ka nënshkruar kontratën që shënon nisjen e përgatitjeve logjistike.
Bëhet fjalë për kontratën për Licenca për platforëmn Netëork Access Control, e cila përfshin blerjen e 5 mijë softuerëve që kapin vlerën e rreth 130 mijë euro.
Megjithëse e nënshkruar nga MPB, përgjegjëse është Policia e Kosovës, e cila nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Rrugë e gjatë parashihet deri në fillimin e zbatueshmërisë së tërësishme të këtij ligji.
“Duhet të ketë përpos pjesës teknologjike, duhet ta ketë edhe pjesën e angazhimit dhe trajnimit të personelit të zyrtarëve policorë, të cilët duhet të reagojnë në mënyrë të menjëhershme në situata ku mund të ketë shkelje të urdhërave mbrojtës apo shkelje të vendimeve të Gjykatës, mbi bazën e së cilës nuk u lejohet afërsia apo çfarëdo lloj kontakti mes viktimës dhe personit që ka ushtruar dhunë”, ka thënë Anton Nrecaj nga Instituti Clard.
Mbikëqyrja elektronike, përmes hallkave elektronike, llogaritet të shtojë mbrojtjen për viktimat e dhunës.
“Është një veprim i cili në masë të madhe ua ngushton hapësirën për dhunim këtyre dhunuesve, por nuk e pamundëson krejtësisht. Dhe në njëfarë mënyre është një shtesë mbrojtëse për viktimat”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.
Për zbatimin e Mbikëqyrjes Elektronike janë premtuar nga ekzekutivi, të paktën 2 milionë euro.