-2.8 C
New York
Friday, February 13, 2026

Buy now

Rutte: Nuk shqetësohem për mosmarrëveshjet, ShBA janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s

- Advertisement -

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu kënaqësinë për diskutimet e zhvilluara në Bruksel në kuadër të Samitit të Ministrave të Mbrojtjes të Aleancës, duke theksuar forcimin e kapaciteteve të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe vijimin e mbështetjes për Ukrainën.

Rutte nënvizoi se zbatimi i angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, të miratuara në qershor në Hagë, dëshmon “një ndryshim real të mentalitetit dhe një mbrojtje shumë më të fortë evropiane brenda NATO-s”. Ai theksoi se kërkesa në rritje duhet të shoqërohet me rritje të prodhimit, duke shtuar se nevojiten “sasi, cilësi dhe shpejtësi”, përmes forcimit të industrive të mbrojtjes dhe zgjerimit të linjave të prodhimit në të dy anët e Atlantikut.

Lidhur me mosmarrëveshjet brenda Aleancës, përfshirë çështjen e Groenlandës, Rutte u shpreh se debatet janë normale. “Gjithmonë do të ketë diskutime dhe mosmarrëveshje në NATO. Do të ishte shumë e mërzitshme nëse nuk do të kishte. Nuk shqetësohem për këtë”, tha ai.

Në fokus të takimit ishte edhe Ukraina, në praninë e ministrit të ri të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili mori pjesë për herë të parë në Këshillin e NATO-s. Rutte vlerësoi rolin e Ukrainës në inovacionin teknologjik në fushën e betejës dhe dënoi sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës civile, duke theksuar se NATO “qëndron në krah të Ukrainës”.

I pyetur për mungesën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Peter Hegseth, në samit, Rutte theksoi pjesëmarrjen e zëvendësit të tij, Elbridge Colby, dhe deklaroi se “SHBA janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s”.

Sa i përket mundësisë së bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin, Rutte tha se presidenti amerikan Donald Trump ka zhbllokuar procesin e negociatave të paqes në shkurt dhe se çdo iniciativë duhet të jetë e koordinuar dhe transparente mes aleatëve. “Kemi një qëllim të vetëm: t’i japim fund luftës në mënyrë që Rusia të mos sulmojë më kurrë Ukrainën”, u shpreh ai.

Në fund, Rutte theksoi se procesi i paqes, i udhëhequr nga SHBA me pjesëmarrjen e Rusisë dhe Ukrainës, duhet të garantojë siguri të besueshme për Kievin në të ardhmen. “Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit