Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një deklaratë për mediat i ktheu përgjigje deklaratave të Vladimir Putin. Ky i fundit tha se Rusia “nuk e dëshironte”, por do të ishte “gati për luftë” me Europën.
“NATO-ja është një aleancë mbrojtëse dhe do të mbetet e tillë”, theksoi Rutte.
“Por të mos gabojmë: Ne jemi të gatshëm dhe të vendosur të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur 1 miliard qytetarët tanë dhe për të garantuar sigurinë e territorit tonë”, shtoi ai.
Rutte, paralajmëroi se aleanca po përballet me “rreziqe reale dhe të qëndrueshme”, teksa Rusia vazhdon agresionin kundër Ukrainës dhe provokimet ndaj vetë aleancës.
“Rusia po e vijon luftën e saj brutale kundër Ukrainës, duke goditur gjithnjë e më shumë civilët dhe infrastrukturën kritike, ndërsa afrohet dimri”, tha Rutte.
“Njëkohësisht, Moska po shfaq sjellje gjithnjë e më të pakujdesshme ndaj NATO-s, përfshirë shkeljen e hapësirës sonë ajrore, kryerjen e sulmeve kibernetike dhe dërgimin e satelitëve për të hartuar infrastrukturën nënujore të aleatëve”, shtoi ai.
Sipas tij, këto incidente tregojnë “nevojën për vigjilencë të palëkundur”.
Rutte theksoi se vendet anëtare “po rrisin ndjeshëm angazhimet e tyre”, por shtoi se duhet bërë edhe më shumë në muajt dhe vitet në vijim.





