22 C
New York
Tuesday, August 5, 2025

Buy now

“Rusiagate, komplot i demokratëve”, prokurorja e përgjithshme e ShBA-së urdhëron hapjen e hetimeve për akuzat

- Advertisement -

Prokurorja e Përgjithshme amerikane Pam Bondi ka urdhëruar prokurorët e Departamentit Amerikan të Drejtësisë që të hapin procedura ligjore mbi akuzat e bëra më herët nga kundërshtarët politikë të Trump, të cilët kanë akuzuar presidentin aktual se në fitoren e tij të parë në vitin 2016 kishte bashkëpunuar me Rusinë për të siguruar marrjen e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët amerikanë do t’i paraqesin prova një jurie të madhe me përpjekjet e rivalëve politik demokrat me synimin për komplot ndaj Presidentit Donald Trump. Pas dorëzimit të këtyre provave, Juria do të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale. Ende nuk dihet se kush janë zyrtarët që do të preken nga këto hetime. Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kundër Hillary Clinton, ka akuzuar prej vitesh kundërshtarët e tij për një fushatë shpifjesh lidhur me të ashtuquajturën “Russiagate”.

Muajin e kaluar, Drejtoresha Kombëtare e Inteligjencës, Tulsi Gabbard, akuzoi ish-presidentin Barack Obama dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare për një “grusht shteti të vazhdueshëm” kundër Trump. Ajo pretendoi se administrata Obama politizoi informacionet për ndërhyrjen ruse për ta lidhur në mënyrë të rreme Trump-in me Moskën. Trump reagoi duke e akuzuar Obamën për “tradhti”, gjë që u cilësua si “absurde” nga një zëdhënës i Obamës. Ndërkohë, demokratët theksuan se pretendimet e Gabbard nuk e rrëzojnë vlerësimin e inteligjencës amerikane të janarit 2017, i cili arriti në përfundimin se Rusia kishte synuar të dëmtonte fushatën e Clinton dhe të ndihmonte atë të Trump. Një raport dypartiak i Senatit në vitin 2020 po ashtu konfirmoi përpjekjet e Rusisë për të ndihmuar Trump-in.

Sipas Fox News, ish-drejtori i CIA-s John Brennan dhe ish-drejtori i FBI-së James Comey janë nën hetim penal për lidhje me hetimin fillestar për Trump dhe Rusinë. Të dy i mohojnë akuzat dhe thonë se Trump po abuzon me drejtësinë për qëllime politike. Gjysma e mandatit të parë të Trump-it u dominua nga hetimi i prokurorit special Robert Mueller, i cili konkludoi në vitin 2019 se nuk kishte prova që Trump apo fushata e tij kishin bashkëpunuar me Kremlinin. Askush nuk u akuzua për këtë.

Debati për Russiagate u rizgjua javën e kaluar kur një aneks i një hetimi tjetër nga Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm John Durham, u deklasifikua. Në të përmendet një dokument i marsit 2016 që sugjeron se Hillary Clinton mund të ketë aprovuar një plan për ta paraqitur Trump-in si agjent rus. Po ashtu, citohet një e-mail i dyshimtë i mundësuar nga hakerë të lidhur me inteligjencën ruse, i cili sugjeron se fushata Clinton kishte qëllim afatgjatë për të paraqitur Donald Trump dhe Presidentin Rus Vladimir Putin si dy figura qe bashkepunonin se bashku.

Durham thekson se nuk ka prova se FBI ka qenë pjesë e këtij plani, megjithatë, hetimi ngre pikëpyetje për bazën e fillimit të hetimit ndaj Trump në vitin 2016. Ai po ashtu vuri në dukje se hetimi fillestar i FBI-së ishte i mangët dhe i bazuar në të dhëna të paprovuara. Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje përmes rrjeteve sociale dhe sulmeve kibernetike ndaj e-mail-ve të demokratëve, por konkluduan se ndikimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve ishte i kufizuar. Hetimi i ri mund të trazojë sërish ujërat në politikën amerikane, me ndikim të madh në debatin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale./abcnews.al/

Të ngjashme

Të fundit