Rusia pretendon se prej 24 shkurtit – kur ka nisur sulmet në shkallë të gjerë në Ukrainë – e deri më 17 qershor, kësaj lufte i janë bashkuar edhe 156 mercenarë nga Kosova.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një listë me numrin e pretenduar të mercenarëve nga shtete të ndryshme të botës dhe Kosovën e renditi në vendin e nëntë.
Aty, po ashtu, pretendohet se Rusia ka eliminuar 61 mercenarë nga Kosova, ndërsa për 60 të tjerë thuhet se janë larguar.
Aktualisht, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 35 shtetas të Kosovës mbeten pjesë e luftës në Ukrainë.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se nuk
Rusia s’ndalet së përgojuari Kosovën
“Ne nuk kemi asnjë informacion për asnjë qytetar të Republikës së Kosovës që është pjesë e luftës në Ukrainë, e për më pak se paskemi edhe viktima në mesin e tyre, ashtu siç paskan deklaruar agjencitë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se të gjitha pretendimet e Rusisë, në raport me Kosovën, janë propagandë.
“… me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe t’i mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse, ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.
Kosova, për më tepër, ka në fuqi Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit.
Me këtë ligj, çdo qytetar i Kosovës që i bashkohet ndonjë konflikti të armatosur jashtë vendit, mund të përballet me dënim me burgim nga 5 deri në 15 vjet.
Dispozitat e ligjit në fjalë parashohin dënime prej 5 deri në 15 vjet burgim për këdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave, me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, për këdo që në çfarëdo mënyre – të drejtpërdrejtë ose të tërthortë – ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera, parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 15 vjet.
Edhe thirrja ose nxitja e të tjerëve për kryerjen e veprave penale, qoftë përmes shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke u përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, dënohet me burg prej 6 muajsh deri në 5 vjet.
Ngjashëm dënohet edhe moslajmërimi i përgatitjes së veprës penale, apo veprës penale të kryer, si dhe strehimi i kryerësve të veprës penale dhe ndihma ndaj tyre.
“Ky ligj vazhdon të jetë në fuqi, prandaj është edhe një ndalesë për cilindo që mendon të bëhet pjesë e luftërave”, tha Sveçla.
Në muajin shkurt, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se “mercenarë nga Kosova” po dërgohen në Donbas të Ukrainës.
Në këtë rajon, forcat qeveritare të Ukrainës luftojnë separatistët pro-rusë qysh në vitin 2014.
Në përgjigje të deklaratës së Lavrovit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se zyrtarët rusë janë duke bërë “fushatë të egër propaganduese” kundër shtetit të Kosovës.
Drejtori i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, njëherësh hulumtues i fushatave dezinformuese të Rusisë në raport me Kosovën, thotë se nuk ka asgjë të vërtetë sa u përket listave me mercenarë që publikon Rusia.
Kjo çfarë thotë Rusia, është vetëm pjesë e propagandës së saj, e cila është e orientuar ndaj vendeve që kanë qëndrim properëndimor, pra që janë me Perëndimin”
“Kjo çfarë thotë Rusia, është vetëm pjesë e propagandës së saj, e cila është e orientuar ndaj vendeve që kanë qëndrim properëndimor, pra që janë me Perëndimin. Asgjë më tepër nuk ka aty dhe, normalisht, Rusia e ka Kosovën gjithmonë cak të posaçëm”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.
Rusia, shton ai, propagandon kundër çdo vendi që rreshtohet në anën e kundërt të saj, e në veçanti kundër vendeve që janë anëtare apo që e mbështesin NATO-n.
Këtë aleancë ushtarake, Rusia e sheh si rivale dhe pretendon – pa asnjë provë – se zgjerimi i saj paraqet kërcënim për të.
Kosova, sikurse shumica e vendeve të Ballkanit, u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Rusia me makineri të madhe dezinformimi”
Listën ruse me shifrat e pretenduara të mercenarëve e publikoi më 18 qershor, në një postim online në gjuhën shqipe, edhe Ambasada e Rusisë në Shqipëri
Nga disa komentues në profilin e kësaj ambasade në Facebook, lista u cilësua e pavërtetë dhe propaganduese.
“Një listë si kjo mund ta përgatisë gjithkush në kompjuter. Kjo nuk është aspak e besueshme”, shkroi një komentues.
“Në histori, Rusia ka pasur dhe ka makinerinë më të madhe dhe më të fuqishme të dezinformimit”, shkroi një komentues tjetër.
Në vendin e dhjetë për nga numri i mercenarëve në luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e listoi Shqipërinë.
Sipas pretendimeve ruse, 150 mercenarë nga Shqipëria iu bashkuan luftës nga 24 shkurti deri më 17 qershor.
Prej tyre, gjithnjë sipas shtetit rus, 42 janë eliminuar, 40 janë larguar dhe 68 janë ende të pranishëm atje.
Pretendimet e tilla i hodhi poshtë Tirana zyrtare.
Shqipëria, po ashtu, ka ligjin që dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja.
Një vend tjetër nga Ballkani Perëndimor, i përfshirë në listën e mercenarëve të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, është Bosnje e Hercegovina – në vendin e shtatë.
Sipas kësaj liste, 167 qytetarë të Bosnje e Hercegovinës i janë bashkuar luftës në Ukrainë; prej tyre, 51 janë eliminuar, 46 janë larguar dhe 70 janë ende në zonën e luftimeve.
Analisti ushtarak dhe politik në Bosnje e Hercegovinë, Neven Kazazoviq, i vë në pikëpyetje këto pretendime.
“Nëse [rusët] janë të sigurt se është kështu, se mercenarët vijnë nga Bosnja dhe Kosova, duhet ta vërtetojnë. Prandaj, mendoj se është më shumë propagandë, sesa e vërtetë”, thotë Kazazoviq për Radion Evropa e Lirë.
Në rastin e Bosnje e Hercegovinës, zyrtarët kanë konfirmuar se dy qytetarë të këtij vendi janë përfshirë në luftën në Ukrainë – njëri në anën e trupave ukrainase, tjetri në krah të trupave ruse.
Kjo, me gjithë faktin se Bosnje e Hercegovina e ka të sanksionuar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në konflikte të armatosura jashtë vendit.
Kazazoviq pranon se në luftën në Ukrainë mund të ketë luftëtarë që janë qytetarë të Bosnje e Hercegovinës, por thotë se ata i takojnë komunitetit serb.
“Ndoshta ka shumë mercenarë që marrin pjesë nga Bosnje e Hercegovina [të komunitetit serb], por në anën ruse. Është krejtësisht e kundërta e asaj që pretendojnë rusët”, thotë Kazazoviq.
Udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Millorad Dodik, shpreh hapur mbështetjen e tij për presidentin rus, Vladimir Putin.
Serbia, në anën tjetër, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.
Në dhjetëshen e parë të listës së mercenarëve, Rusia ka renditur edhe Kroacinë – nga vendet e Ballkanit Perëndimor – por edhe vende të tjera, si: Poloninë, Rumaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Çekinë e Letoninë, u kanë lejuar shtetasve të tyre të luftojnë në Ukrainë, nëse dëshirojnë, pa u përballur me pasoja.
Kosova, “temë e preferuar” e Rusisë
Në arenën ndërkombëtare, Rusia është një ndër kundërshtaret më të mëdha të pavarësisë së Kosovës.
Ajo, vazhdimisht, paraqet pengesa në raport me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Putin, në fjalimet e tij, e përmend shpesh Kosovën – mes tjerash, duke tërhequr paralele midis pavarësisë së saj nga Serbia dhe aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, më 2014.
Aneksimi me forcë i Krimesë, pas një referendumi të kurdisur, është cilësuar si i paligjshëm dhe rajoni nuk njihet si pjesë e Rusisë nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Ndryshe, Kosova njihet nga 117 shtete të botës. Për më tepër, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Më 18 korrik, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përmendur Kosovën në një shkrim për mediumin rus “Izvestia”.
Kjo nuk është hera e parë as për Lavrovin që i referohet Kosovës, për të tërhequr paralele të supozuara me zhvillimet në Rusi apo Ukrainë.
Në artikullin në “Izvestia”, Lavrov ka akuzuar Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar për inskenim të masakrës së Reçakut, e cila ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999.
Në këtë ngjarje, forcat serbe kanë vrarë dhe masakruar 45 civilë shqiptarë.
Zyrtarët në Serbi dhe Rusi, disa herë, kanë pretenduar se masakra “është trilluar”.
Lavrov e ka bërë akuzën e njëjtë në “Izvestia” dhe ka thënë, po ashtu, se Perëndimi dhe Ukraina po e ngarkojnë Rusinë me akuza të pavërteta për krime lufte kundër civilëve ukrainas.
Kosova dhe Rusia kanë marrëdhënie formale përmes Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Ajo është hapur qysh në vitin 2005, por veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak.
Viteve të fundit, Kosova ka shpallur disa diplomatë rusë persona të padëshirueshëm.